Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Blinken: Rusia po kryen “krime lufte” në Ukrainë

Blinken: Rusia po kryen “krime lufte” në Ukrainë

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, tha se kanë arritur në përfundimin se forcat ruse kanë kryer “krime lufte” në Ukrainë.

Blinken e tha këtë në një deklaratë me shkrim që bëri në lidhje me viktimat civile të regjistruara në luftën në Ukrainë dhe sulmet ruse.

Që nga fillimi, shkruan ai, ne i kemi ndjekur sulmet ruse ndaj civilëve në Ukrainë dhe jemi përpjekur t’i dokumentojmë ato.

Sekretari Blinken përmendi bombardimin e spitalit dhe teatrit në Mariupol të Ukrainës.

“Forcat e (Presidentit rus Vladimir) Putinit i kishin përdorur këto taktika në Grozny (Çeçeni) dhe Halep (Siri), ku kishin intensifikuar bombardimet për të thyer rezistencën popullore”, tha ai.

Blinken bëri të ditur se sulme të shumta ruse që marrin në shënjestër civilët dhe vendbanimet civile në pjesë të ndryshme të Ukrainës janë verifikuar dhe dokumentuar me kujdes referuar burimeve publike dhe atyre të inteligjencës.

“Javën e kaluar thashë se zyrtarët amerikanë po punojnë për të dokumentuar krimet e mundshme të luftës në Ukrainë. Në dritën e informacionit që kemi sot, unë njoftoj se administrata amerikane ka arritur në përfundim se forcat ruse kanë kryer krime lufte në Ukrainë”, tha ai.

Blinken shtoi se do të ndërmarrin hapa për të siguruar që ata që kryejnë krime lufte të japin llogari para drejtësisë.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden kishte argumentuar javën e kaluar se “Putini është një kriminel lufte”; edhe Blinken kishte thënë se është plotësisht dakord me këtë deklaratë.

Qeveria e Moskës kishte argumentuar se pretendimet për shënjestrimin e civilëve në Ukrainë ishin të pabaza.

Trupat ruse filluan një ofensivë në Ukrainë më 24 shkurt. /trt

Exit mobile version