Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Bolivi, tërhiqen ushtarët që tentuan të kryejnë grusht shteti

Bolivi, tërhiqen ushtarët që tentuan të kryejnë grusht shteti

Me urdhër të komandantit të sapoemëruar të ushtrisë boliviane, Jose Wilson Sanchez, ushtarët që tentuan të kryejnë grusht shteti u kthyen në njësitë e tyre, transmeton Anadolu.

Sanchez, komandanti i ri i ushtrisë i sapoemëruar nga presidenti Luis Arce, dha deklarata në një konferencë për media. Duke dënuar kryengritjen ushtarake, Sanchez tha: “Urdhëroj të gjithë ushtarët dhe personelin në rrugë dhe sheshe të kthehen në njësitë e tyre”.

Pasi bëri të ditur se kanë marrë përgjegjësi “të madhe”, Sanchez deklaroi: “Jam i nderuar që më kanë vlerësuar të denjë për një detyrë të tillë. Falënderoj presidentin dhe ministrin e Mbrojtjes që na besuan ne. Jemi përballë pamjeve që askush nuk dëshiron t’i shohë nëpër rrugë dhe sheshe. Si komandant i ri i ushtrisë, dua të theksoj se nuk do të lejojmë veprime jo demokratike”.

Në lajmet e mediave pretendohet se kryengritja ushtarake u drejtua nga ish-komandanti i ushtrisë Jose Zuniga, i cili u shkarkua më 25 qershor. Pretendohet se Zuniga kundërshton kandidaturën e ish-presidentit Evo Morales në zgjedhjet presidenciale që priten të mbahen në vitin 2025 dhe se qeverisë i ka përcjellë shqetësimin e tij.

Ushtarët e udhëhequr nga Zuniga u përpoqën të merrnin kontrollin e pallatit qeveritar dhe të formonin një këshill të ri ministrash, thuhet në lajmin ku bëhet e ditur se Zuniga i cili kërcënoi në mënyrë të “qartë” Moralesin ka thënë: “Ne nuk do ta lejojmë atë të shkelë kushtetutën dhe të mos i bindet autoritetit të dhënë nga populli. Forcat e armatosura janë krahu i armatosur i atdheut. Do ta marrim këtë atdhe nga ata. Vendi ynë nuk mund të vazhdojë më shumë në këtë mënyrë”.

Exit mobile version