Të paktën 17 persona kanë humbur jetën dhe 11 të tjerë janë plagosur pasi reshjet e dendura të shiut dhe borës shkaktuan përmbytje të menjëhershme në disa zona të Afganistanit. Mes viktimave janë edhe pesë anëtarë të një familjeje, përfshirë dy fëmijë, pas shembjes së çatisë së një shtëpie në distriktin Kabkan të provincës Herat.
Autoritetet njoftuan se shumica e viktimave janë regjistruar që nga e hëna në zona të goditura nga përmbytjet. Moti i ashpër ka dëmtuar infrastrukturën, ka vrarë bagëti dhe ka prekur rreth 1,800 familje në rajone urbane dhe rurale.
Agjencia Kombëtare për Menagjimin e Fatkeqësive ka dërguar ekipe vlerësimi në zonat më të prekura për të përcaktuar nevojat emergjente. /mesazhi
