Emiratet e Bashkuara Arabe kanë bërë të ditur se Aeroporti Ndërkombëtar i Dubait ka pezulluar përkohësisht operimet për të garantuar sigurinë e pasagjerëve, stafit dhe ekuipazheve ajrore, transmeton Anadolu.
“Për sigurinë e pasagjerëve, stafit të aeroportit dhe ekuipazheve të linjave ajrore, operimet në Aeroportit Ndërkombëtar të Dubait (DXB) janë pezulluar përkohësisht. Të gjitha procedurat po menaxhohen në përputhje me protokollet e vendosura të sigurisë”, tha zyra e mediave e Dubait në rrjetin social amerikan X.
Kompania kombëtare ajrore Emirates gjithashtu njoftoi në X se të gjitha fluturimet drejt dhe nga Dubai janë pezulluar “deri në një njoftim të dytë”.
Autoritetet emirate mohuan se aeroporti ishte sulmuar, duke konfirmuar se autoritetet përkatëse kishin trajtuar një “incident të kufizuar” që nuk shkaktoi të lënduar.
Mohimi erdhi pas pretendimeve në rrjetet sociale se aeroporti ishte shënjestruar nga sulme me dronë.
Autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe nuk dhanë detaje të mëtejshme për natyrën e incidentit apo kohëzgjatjen e pezullimit.
Tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar që nga fundjava e kaluar, kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme në shkallë të gjerë kundër Iranit, duke vrarë të paktën 1 mijë persona, përfshirë liderin suprem Ali Khamenei, mbi 150 nxënëse dhe zyrtarë të lartë ushtarakë.
Irani është kundërpërgjigjur me sulme të gjera me raketa dhe dronë që kanë shënjestruar baza amerikane, objekte diplomatike dhe personel ushtarak në të gjithë rajonin, si dhe disa qytete izraelite.
