Ballina Lajmet Bregu Perëndimor, 9 të plagosur në protesta, Al-Aksa ende e mbyllur

Bregu Perëndimor, 9 të plagosur në protesta, Al-Aksa ende e mbyllur

Ushtria izraelite ka plagosur nëntë palestinezë dhe ka arrestur katër të tjerë të mërkurën gjatë një proteste kundër masave të reja të sigurisë izraelite rreth xhamisë Al-Aksa, me çka kanë kufizuar hyrjen e besimtarëve, raporton Anadolu Agency (AA).

Dëshmitarët thonë se qindra palestinezë kanë protestuar për kufizimet në pikat e kontrollit Kaladia e cila ndan Jerusalemin nga Ramallahu.

Ushtria izraelite ka përdorur plumbat konvencionale, municion gome dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë demonstruesit të cilët kërkojnë heqjen e detektorit metalik në një nga vendet më të rëndësishme muslimane.

Ismail Haniyeh, lideri politik i Hamasit, të mërkurën i bëri thirrje vendeve arabe dhe muslimane që të organizojnë takim të jashtëzakonshëm për shkak të dhunës së Izraelit kundër Al-Aksës.

“U bëj thirrje të gjithë muslimanëve që të marrin masa të menjëhershme për Al-Aksën, shenjtëria dhe pozita e së cilës është ekspozuar ndaj një rreziku të vërtetë dhe u bëj thirrje udhëheqësve të vendeve arabe dhe muslimane që të organizojnë takim të jashtëzakonshëm për të përmbushur detyrimet e tyre”, ka thënë Haniyeh në një deklaratë.

Ai gjithashtu i bëri thirrje botës muslimane për mobilizim të përgjithshëm të premten kundër dhunës izraelite.

Në një protestë të veçantë, institucioni fetar dhe kompania që drejton Al-Aksën, me të cilën menaxhon Qeveria e Jordanisë, kanë vendosur që të premten të mbyllin të gjitha xhamitë në Jerusalemin Lindor dhe kanë ftuar besimtarët të falin namazin e xhumasë para portave të Al-Aksës, për t’i rezistuar detektorëve të metalit që kanë vendosur forcat e sigurisë izraelite.

Protestat filluan të dielën pasi drejtoria e xhamisë ka urdhëruar rojet që të bojkotojnë detektorët e rinj të metalit të vendosura në rrugët që çojnë në kompleksin Al-Aksa, pas të shtënave vdekjeprurëse javën e kaluar.

Masat e reja të sigurisë kanë çuar në një valë të pakënaqësisë palestinezët, të cilët kërkojnë heqjen e menjëhershme të detektorëve të metalit. Izraeli mbron veprimin kontrovers, duke argumentuar se këto masa të sigurisë nuk duhet të dallojnë nga vendet e tjera të shenjta nëpër botë.

Al-Aksa është vend i shenjtë i tretë më i rëndësishëm në Islam, pas Mekës dhe Medinës.

Exit mobile version