Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Bregu Perëndimor në flakë nën dhunën e shfrenuar izraelite

Bregu Perëndimor në flakë nën dhunën e shfrenuar izraelite

Një valë e re sulmesh me koktej Molotov shkrumbon shtëpitë dhe pronat palestineze, ndërsa diplomacia ndërkombëtare mjaftohet vetëm me deklarata

Banorët palestinezë u zgjuan të dielën mes rrënojave të shkrumbuara, pasi kolonët izraelitë ndërmorën një valë sulmesh të koordinuara, duke u vënë zjarrin banesave dhe automjeteve në disa fshatra të Bregut Perëndimor.

Edhe pse ushtria izraelite lëshoi formalisht një deklaratë ku dënonte “dhunën e çdo lloji”, bilanci në terren tregon një realitet tjetër: një fushatë të hapur terrori ndaj popullatës civile.

Zjarrvënie dhe Grafite Urrejtjeje Sulmet kulmuan të shtunën vonë, duke u shndërruar në një skenë kaosi në mes të një vale vrasjesh që ka përfshirë rajonin që nga shpërthimi i konfliktit të fundit në Lindjen e Mesme.

Gazetarët e AFP-së dokumentuan mbetjet e djegura të një shtëpie familjare dhe disa automjeteve në Fandaqumiya. Në Jalud, dhuna nuk kurseu as institucionet. Një qendër shëndetësore u dogj tërësisht, ndërsa muret e xhamisë lokale u mbuluan me grafite në hebraisht, një shenjë e qartë e provokimit fetar dhe etnik.

Hassan Al-Zoubi, shtëpia e të cilit në Fandaqumiya u shkatërrua plotësisht, rrëfeu tmerrin për AFP-në. “Rreth 200 sulmues erdhën nga vendbanimi Homesh. Ata i vunë flakën shtëpisë para syve tanë, duke hedhur koktej Molotov nëpër dritare”- tregoi a.

Sipas agjencisë ëAFA, sulmet lanë pas edhe disa palestinezë të plagosur. Ushtria izraelite deklaroi se kishte dërguar trupa pas raportimeve për “akte zjarrvënieje nga civilë izraelitë”, duke shtuar se do të veprojnë për të ruajtur rendin publik.

Megjithatë, për autoritetet palestineze, këto nuk janë akte të izoluara, por “sulme terroriste të kryera nga banda koloniste”, për të cilat qeveria izraelite mban përgjegjësi të plotë. Incidentet ndodhën pas pretendimeve të ushtrisë se një civil izraelit humbi jetën të shtunën në një aksident të dyshimtë me një mjet palestinez, rast i cili po hetohet si “terrorizëm”, megjithëse pa prova të konfirmuara deri më tani.

Që nga fillimi i luftës SHBA-Izrael kundër Iranit, dhuna e kolonëve ka marrë jetën e të paktën gjashtë palestinezëve në Bregun Perëndimor. Diplomatët nga 14 vende, përfshirë Evropën dhe Kanadanë, kanë dënuar ashpër “terrorin në rritje të kolonëve”, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të pushtimit të dhunshëm të tokës.

Me mbi 500.000 izraelitë që jetojnë ilegalisht në vendbanime sipas ligjit ndërkombëtar, Bregu Perëndimor po zien nga tensionet.

Sipas të dhënave të fundit, forcat izraelite dhe kolonët kanë vrarë të paktën 1.050 palestinezë në këtë rajon që nga fillimi i asaj që cilësohet si gjenocid në Gaza, duke e bërë vitin 2026 një nga kapitujt më të përgjakshëm të historisë moderne palestineze. /tesheshi

Exit mobile version