Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria Rajonale në Pejë, ka njoftuar se gjatë javës së kaluar ka realizuar disa aksione që kanë rezultuar me sekuestrimin e një numri armësh dhe municioni.
Sipas njoftimit, nga data 23 shkurt deri më 1 mars 2026, zyrtarët policorë të stacioneve në kuadër të Drejtorisë Rajonale në Pejë kanë gjetur dhe sekuestruar gjithsej pesë armë, përfshirë dy pushkë, një pushkë “dhjetëshe” me nëntë fishekë të kalibrit 7×62 mm, një pushkë gjuetie me 18 fishekë të kalibrit 7.62×39 mm, një revole TT dhe një pistoletë Zoraki 917-T.
Po ashtu, janë konfiskuar një karikator, një fishek i kalibrit 9×19 mm si dhe një thikë.
Policia ka bërë të ditur se personat e dyshuar janë intervistuar, ndërsa ndaj tyre janë iniciuar raste penale për veprën “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Autoritetet kanë theksuar se veprime të tilla do të vazhdojnë me qëllim të garantimit të sigurisë publike dhe parandalimit të armëmbajtjes pa leje.
