Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Britani, hetime mbi akuzat se “ushtarët britanikë kanë vrarë civilë afganë”

Britani, hetime mbi akuzat se “ushtarët britanikë kanë vrarë civilë afganë”

Mbretëria e Bashkuar ka vendosur të zhvillojë hetim të pavarur mbi pretendimet se “Forcat e Armatosura Britanike kanë vrarë civilë në Afganistan”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmeve në shtypin britanik, zyrtari në Ministrinë e Mbrojtjes, Andrew Murrison në një deklaratë në Dhomën e Komunave (House of Commons) tha se sekretari i Mbrojtjes, Ben Wallace sipas Aktit të Hetimeve të vitit 2005 ka vendosur të zhvillojë hetim rreth çështjes në fjalë.

Murrison thekson se detajet e hetimit do të shpallen “kur të vijë koha”.

– Hetimi do të nisë në muajt e parë të vitit 2023

Në kuadër të hetimeve do të shqyrtohet nëse përgjigjja e Ministrisë ndaj pretendimeve për “veprimtarinë e forcave britanike dhe vrasjen e civilëve në periudhën 2010-2013” ​​është e mjaftueshme.

Gjyqtari Haddon-Cave do të kryesojë hetimin, i cili do të fillojë në muajt e parë të vitit 2023.

Sekretari i Financave në hije i Partisë Laburiste, John Healey tha se akuzat për vrasjen e civilëve dhe fshehjet ishin shumë serioze, duke thënë se hetimi ishte i rëndësishëm “për të mbrojtur reputacionin e Forcave Speciale Britanike, për të siguruar ndershmërinë në hetimet ushtarake dhe për të siguruar drejtësi për të prekurit”.

Tessa Gregory, një partnere në kompaninë ligjore Leigh Day që përfaqëson familjet e viktimave, kujtoi se këto akuza janë ngritur nga ushtritë britanike dhe afgane dhe organizatat kryesore ndërkombëtare më parë. Gregory tha se hetimi duhet të kishte nisur vite më parë.

– Familjet e viktimave e mirëpritën vendimin për hetim

Agjencia kombëtare britanike e lajmeve PA Media publikoi deklaratat e familjeve të viktimave për këtë çështje.

Një i afërm i njërës prej viktimave tha se humbi dy vëllezër e motra, një dajë dhe një shok fëmijërie 10 vjet më parë.

Disa nga familjet pretenduan se “ishin prangosur, rrahur dhe janë marrë në pyetje nga ushtarët britanikë”.

Thuhet se familjet kanë pritur 10 vite për të mësuar se çfarë ka ndodhur në të vërtetë dhe vite më vonë kanë përshëndetur vendimin e hetimit.

Një nga anëtarët e familjes tha se si rezultat i hetimeve shpresojnë që kriminelët të mbahen përgjegjës.

Pretendohet se 8 persona, mes tyre 3 të rinj, u vranë në bastisjet e natës të kryera nga forcat speciale britanike në vitin 2011 dhe 2012 në Afganistan.

Exit mobile version