Përleshje në Bruksel mes pjesëmarrësve në dy manifestime të ndryshme, një në favor dhe tjetra kundër emigrantëve. Policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës para selisë së Komisionit Europian.
Në shesh, nga njëra anë, të paktën 5.500 persona kanë protestuar kundër paktit të OKB-së mbi emigrantët; nga ana tjetër, një manifestim i dytë me mijëra njerëz, të cilëve iu bashkua një grup i jelekverdhëve, ka protestuar kundër ksenofobisë dhe racizmit, shkruan tch.
Policia ndërhyri në veçanti kundër demonstruesve të protestës së parë, të quajtur “kundër Marrakeshit” në lidhje me Kompaktin Global të Kombeve të Bashkuara për Emigracionin dhe të organizuar nga grupe të ekstremit të djathtë dhe shoqata të krahut të djathtë.
Pak orë më parë, gjatë një fjalimi, Papa Françesku shprehu mbështetjen e tij për Compactin Global, duke shpresuar se bashkësia ndërkombëtare “falë këtij instrumenti mund të punojë me përgjegjësi, solidaritet dhe dhembshuri ndaj atyre që për arsye të ndryshme janë larguar nga vendi i tyre.
Një ftesë që Papa e kishte drejtuar disa ditë më parë për delegacionin e ambasadorëve të rinj të pritur në Selinë e Shenjtë: në atë rast Bergoglio kishte rekomanduar “mikpritjen, mbrojtjen, promovimin dhe integrimin e atyre që trokasin në dyert tona në kërkim për një të ardhme të sigurt për veten dhe për fëmijët e tyre”, duke kujtuar se Jezusi ishte gjithashtu një refugjat.