Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Bullgari, protesta kundër projektbuxhetit të ri të qeverisë

Bullgari, protesta kundër projektbuxhetit të ri të qeverisë

Shumë bullgarë janë tubuar në kryeqytetin Sofje kundër një projektbuxheti të paraqitur nga qeveria në parlament, raporton Anadolu.

Mijëra njerëz të organizuar përmes mediave sociale me thirrjen e partisë reformiste “Ne Vazhdojmë Ndryshimin” (PP) u mblodhën në Sheshin e Pavarësisë, ku ndodhen ndërtesat e parlamentit dhe kryeministrisë.

Ata brohoritnin parulla kundër qeverisë së kryeministrit Rosen Zhelyazkov dhe koalicionit qeverisës të vendit.

Turma rrethoi hyrjet e ndërtesës së parlamentit dhe u përpoq të pengojë largimin nga ndërtesa të ligjvënësve që merrnin pjesë në një seancë të përgjithshme.

Demonstruesit, që mbanin flamuj bullgarë dhe të Bashkimit Evropian (BE), gjatë protestës rreth 3-orëshe brohoritën parulla kundër qeverisë të koalicionit të përbërë prej 3 partish, që përfshin Qytetarët për Zhvillimin Evropian të Bullgarisë (GERB), Partia Socialiste Bullgare (BSP) dhe partinë Ka Një Popull të Tillë (ITN), si dhe partinë Lëvizja për të Drejta dhe Liri – Fillimi i Ri, e cila mbështet qeverinë nga jashtë.

Buxheti, i përgatitur për herë të parë në euro për shkak të kalimit të planifikuar të vendit nga leva në euro më 1 janar të vitit 2026, po përballet me kritika veçanërisht për disa parametra që lidhen me sektorin social, përfshirë rritjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore, mungesën e llogaridhënies për shpenzimet publike dhe mundësinë e një efekti “ngrirjeje” mbi të ardhurat, pavarësisht rritjeve të planifikuara të pensioneve dhe pagave në kujdesin shëndetësor.

Kritikët argumentojnë se buxheti është pro-inflacionist dhe nuk adreson mangësitë sistemike në shërbimet publike si kujdesi shëndetësor dhe gjyqësori.

Policia mori masa të gjera të sigurisë, ndërsa protesta përfundoi pa incidente pasi seanca e përgjithshme e parlamentit zgjati më shumë se sa pritej dhe demonstruesit u shpërndanë.

Exit mobile version