Qeveria e Çadit ka deklaruar se shtatë ushtarë të saj janë vrarë gjatë një përplasjeje në kufirin me Sudanin, duke fajësuar Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), grupin paramilitar të përfshirë në luftën civile të përgjakshme sudaneze.
Zëdhënësi i qeverisë çadiane, Gassim Cherif, tha në një konferencë për shtyp se të enjten kishte ndodhur një “inkursion” në territorin e Çadit nga luftëtarë të armatosur që vinin nga Sudani. Përplasja shpërtheu pasi trupat çadiane u kërkuan atyre të largoheshin nga territori i vendit. Një zyrtar qeveritar konfirmoi për AFP se bëhej fjalë për elementë të RSF-së.
Incidenti ndodhi pranë qytetit kufitar Tine. Cherif u bëri thirrje të gjitha palëve në konfliktin sudanez të ndalojnë shkeljet e territorit çadian, duke e cilësuar deklaratën si “paralajmërimin e fundit”.
“Nuk mund të lejojmë që forcat tona të mbrojtjes dhe sigurisë të tërhiqen në këtë konflikt, apo që qytetarë të Çadit të humbin jetën,” tha ai.
Lufta mes RSF-së dhe ushtrisë sudaneze, që shpërtheu në prill të vitit 2023, ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima dhe ka detyruar rreth 12 milionë njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre. Sipas OKB-së, rreth një milion refugjatë sudanezë janë strehuar në Çad.
Ky nuk është incidenti i parë: më 26 dhjetor, dy ushtarë çadianë u vranë në një sulm me dron në kufi, që autoritetet ia atribuuan gjithashtu RSF-së. Grupi paramilitar ka kryer disa sulme pranë kufirit çadian që nga tetori, pasi mori kontrollin e qytetit Al-Fasher, bastioni i fundit i ushtrisë sudaneze në rajonin e Darfurit.
Ofensiva e RSF-së ka nxitur reagime të forta ndërkombëtare, për shkak të raportimeve për masakra, ekzekutime pa gjyq dhe përdhunime sistematike. /mesazhi
