Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ç’do bëjë sot “Timonieri i Madh”?

Ç’do bëjë sot “Timonieri i Madh”?

Rama mes Nanos dhe vetvetes: kooptim apo spastrim i PS?

Pyetja që po qarkullon prej ditësh në korridoret e politikës nuk është thjesht se kush do të hyjë e kush do të dalë nga qeveria. Dilema e vërtetë është më e madhe: ç’do të bëjë sot Timonieri i Madh?

Do të zgjedhë të bashkëjetojë me figura që po fitojnë peshë politike brenda Partisë Socialiste, si Elisa Spiropali, apo do t’i rikthehet recetës së vjetër, sipas së cilës çdo qendër tjetër influence duhet neutralizuar para se të rritet?

Për më shumë se një dekadë, Partia Socialiste nuk ka qenë thjesht partia e Edi Ramës; ajo ka qenë pothuajse një zgjatim i tij. Kryetari ka qenë ideja, projekti, filtri dhe, në shumë raste, edhe opozita e vetvetes. Në një sistem të tillë, çdo figurë që fillon të krijojë profil të pavarur ngjan më shumë si alarm sesa si aset.

Përpara tij janë dy rrugë. E para është ajo që dikur e praktikonte Fatos Nano. Të përfshijë, të balancojë, të ndajë përgjegjësi dhe pushtet, me logjikën se një parti e madhe mbahet në këmbë duke u dhënë oksigjen figurave që rriten politikisht, jo duke ua mbyllur dritaren sapo fillojnë të marrin frymë vetë. Ishte filozofia e famshme: “ndaj pushtet për të bërë shtet”.

Rruga e dytë, është ajo që Rama e njeh shumë më mirë, sepse e ka praktikuar prej vitesh. Në këtë model, çdo qendër tjetër graviteti trajtohet si një planet që rrezikon të largohet nga orbita e Diellit.

Dhe në sistemin diellor të PS-së, dielli lejohet të jetë vetëm një. Kush ndriçon pak më shumë seç duhet, rrezikon të shpallet “karrigethyes”, “i pakënaqur”, ose thjesht të zbulojë se karriera politike ka edhe një derë daljeje.

Prandaj, riformatimi i qeverisë që pritet të shpallet sot nuk është thjesht një listë ministrash. Është një test karakteri për kryeministrin.

Nëse në kabinet do të shfaqen figura që konsiderohen pranë Spiropalit, atëherë mund të thuhet se Rama ka zgjedhur kooptimin dhe ka pranuar se një parti nuk është më e dobët kur prodhon liderë të rinj.

Por nëse emrat që lidhen me këtë frymë zhduken nga skena ose zëvendësohen me besnikët e zakonshëm, atëherë mesazhi do të jetë po aq i qartë: në PS promovimi është i mirëpritur, për sa kohë nuk krijon idenë se mund të ekzistojë një numër dy.

Historia politike e Edi Ramës ka treguar se ai nuk ka pasur problem të zëvendësojë ministra, kryetarë bashkish, sekretarë apo drejtues institucionesh. Shumë më e vështirë për të ka qenë të tolerojë lindjen e një figure me peshë të vetën. Në këtë aspekt, dilema nuk është vetëm mes Ramës dhe Spiropalit.

Është mes Ramës së sotëm dhe një modeli që dikur e përfaqësonte Fatos Nano: një parti që bashkëjeton me ambiciet e anëtarëve të saj, apo një parti ku ambicia më e sigurt është të mos dukesh më i gjatë se kryetari. \tesheshi.com\

Exit mobile version