Një përsiatje mbi të djeshmen e të sotmen fetare e sociale të brezave
Brezi im filloi ta përqafonte Islamin në Shqipëri në fillim të viteve ’90, kur pas dekadash ndalimi feja po rikthehej në jetën publike, ndërsa ne që hynim për herë të parë në xhami dinim ende shumë pak për të. Unë isha vetëm 14 vjeç dhe nuk dija as ta dalloja mirë kishën nga xhamia. Në namazin tim të parë ishim vetëm tre vetë dhe, kur rashë në sexhde, më shpëtoi e qeshura. Imam Xhelali, një burrë i moshuar e i nderuar, të cilit i binim në qafë me sjelljet tona fëmijërore, na nxori nga xhamia gjatë faljes. Sa herë e kujtoj atë ditë, më vjen ndër mend jo vetëm e qeshura e një fëmije, por edhe fillimi ynë i pasigurt: besimin po e përqafonim pa e njohur mirë, me një etje të vërtetë për të mësuar.
Pranimi i Islamit na dukej një rrugëtim i qartë, i mbështetur në monoteizmin e pastër, ndjekjen e metodologjisë profetike dhe bindjen se këto ishin çelësat e rrugës së grupit të shpëtuar. Në të vërtetë, zotëronim pak dije; për disa prej nesh, metodologjia profetike kufizohej pothuajse te vendosja e duarve mbi gjoks gjatë namazit dhe ngritja e pantallonave mbi kyçet e këmbëve, praktika që më vonë u përhapën mes të rinjve praktikantë në shkallë kombëtare. Mësimet i merrnim kryesisht ashtu siç na transmetoheshin nga misionarët e kohës, pa pasur gjithnjë mundësi t’i shqyrtonim në thellësi. Shfaqjet publike të besimit ngjallnin reagime në shoqërinë e sapodalë nga ndalimi. Megjithatë, në atë mjedis të varfër në burime, mes gabimeve dhe përpjekjeve të para, u formua një brez që ndërtoi marrëdhënie të qëndrueshme me fenë dhe institucionet e saj.
Sot kushtet janë krejt të tjera. Sipas të dhënave të publikuara nga Komuniteti Mysliman, Shqipëria numëron rreth 900 xhami; ka medrese, institucione të studimeve islame, botime të shumta fetare dhe mundësi arsimimi teologjik edhe në vendet fqinje. Klerikëve dhe teologëve të diplomuar u shtohen shoqata me orientime të ndryshme dhe rrjetet sociale, të cilat e kanë shumëfishuar qasjen në informacion. E megjithatë, një pjesë e të rinjve praktikantë, veçanërisht të lindurit pas vitit 2000, dinë fare pak për sakrificat dhe vështirësitë e atyre që ringritën jetën islame në Shqipëri. Si shpjegohet kjo ndarje ndërbreznore pikërisht atëherë kur mundësitë për të komunikuar janë më të shumta se kurrë?
Në kaq vite angazhim publik kam takuar njerëz të moshave e bindjeve të ndryshme, por vazhdon të më shqetësojë lehtësia me të cilën një pjesë e të rinjve, përtej zhgënjimeve politike e shoqërore dhe të ndikuar edhe nga figura që paraqiten si intelektualë në rrjetet sociale, e zhvlerësojnë modelin fetar të ndërtuar pas viteve ’90, sikur puna e një gjenerate të tërë të mos kishte dhënë asnjë fryt. Le t’i kritikojmë gabimet, por nuk mund të kalojmë nga përgjegjësia e individit te delegjitimimi moral kolektiv dhe të fshijmë me një të rënë të lapsit mundin e njerëzve. Një dëshirë për ndryshim që mohon historinë rrezikon të humbasë edhe drejtimin e së ardhmes. Në vetëdijen time fetare, tundimi për t’ua mohuar të tjerëve të mirën bashkë me gabimet mbart frymëzimin e shejtanit të mallkuar, prej të cilit duhet të ruhemi.
Po si mund t’i shohim të rinjtë vetëm përmes gabimeve, kur ata kanë një vend kaq të veçantë në mësimet e Islamit? Kurani na kujton: “Ata ishin të rinj që besuan në Zotin e tyre dhe Ne ua shtuam udhëzimin” (El-Kehf, 18:13), ndërsa Profeti Muhamed (a.s.), ndër shtatë kategoritë që do të jenë nën hijen e Allahut Ditën e Gjykimit, përmend të riun e rritur në adhurimin e Tij. Energjia dhe guximi i rinisë mund të bëhen forcë morale kur gjejnë dije dhe përkujdesje; kjo na ngarkon ne, intelektualët, hoxhallarët, myftinitë dhe Komunitetin Mysliman, me detyrën për t’iu përgjigjur më mirë nevojave të tyre. Ka pasur përpjekje të vlefshme, por a kemi arritur vërtet ta kuptojmë botën në të cilën po rriten?
Brezi ynë e mori orientimin fillestar në kampet verore dhe në mësimet fetare në xhami, me fletore e laps përballë profesorit të rreptë. Mësonim për kaderin, emrat dhe cilësitë e Zotit, fikhun familjar, madje diskutonim për shiitët, mutezilitët dhe shkollat e tjera të mendimit. Nga ai mjedis dolën hoxhallarë, intelektualë, mjekë, inxhinierë, biznesmenë, drejtues institucionesh dhe punëtorë të ndershëm, që, pavarësisht rrugëve që ndoqën, në kujtesën time ruajtën pa përjashtim respektin për imamin dhe mësuesin. Shumëkush na quan “gjenerata e artë” e asaj periudhe; unë e kuptoj kontributin tonë përmes filozofisë së davetit natyral: u afroheshim njerëzve drejtpërdrejt e pa komplekse, me mirësi dhe me këmbëngulje për të mirën që besonim. Çelësi i suksesit ishte marrëdhënia e mësuesit me xhematin e tij, njohja e njerëzve nga afër dhe besimi i ndërsjellë. Kjo afërsi nuk kërkonte bindje të verbër, sepse autoriteti i dijes mbështetej te përgatitja, argumenti dhe përgjegjësia; këtë dallim duhet t’ua përcjellim edhe të rinjve.
Sot tradita e kampeve dhe e edukimit të përqendruar është zbehur, ndërsa në vende të tjera diskutohet nëse edhe shkolla tradicionale u përgjigjet nevojave të brezit të ri. Nuk e di në cilën pikë e humbëm zakonin për të qëndruar pranë të rinjve, por duket sikur e kemi hedhur në det çelësin e komunikimit me ta. Kush do ta mbushë hapësirën që kemi lënë? Të rinjtë do të kërkojnë përkatësi, kuptim dhe modele të tjera, duke ndërthurur shpesh besimin, ideologjinë dhe kulturën dixhitale. Mund të flasin me bindje të forta, edhe kur u mungon formimi i qëndrueshëm; pas sigurisë së shprehur në publik mund të fshihet një zbrazëti që kërkon orientim, punë të dobishme dhe dikë që t’i dëgjojë.
Këtë mospërputhje e ndeshim në shembuj që nuk duhen përdorur për të gjykuar një brez. Mbaj mend një bisedë me një hoxhë të njohur për disa vajza rreth 21-vjeçare që shfaqeshin në TikTok me veshje fetare, ndërsa në sjellje kapërcenin kufijtë e moralit islam. I thashë se ky model, të cilin të tjerë mund ta shohin edhe si mundësi përfitimi komercial, do të ndikonte negativisht te vajza të tjera. “Nuk besoj, kjo i ndihmon të integrohen”, m’u përgjigj. Fatkeqësisht, koha ma përforcoi bindjen: profile të ngjashme janë shtuar jashtëzakonisht, duke krijuar huti edhe te të rinjtë jopraktikantë për atë që lejohet dhe ndalohet në Islam.
Më shqetësojnë edhe pamje protestash ku disa vajza dhe djem, të dallueshëm qartësisht për publikun si praktikantë fetarë, ndonëse shumë të paktë në numër, duket se ndihmojnë të nxjerrin pllaka guri, të përdorura më pas në përplasjet me policinë. Goditja e njerëzve me gurë dhe rrezikimi i tyre nuk përligjen fetarisht, ndërsa protesta paqësore mbetet e drejtë legjitime. A kërkojnë këta të rinj pranimin e bashkëmoshatarëve të brezit Z? Nuk mund t’ua përcaktojmë motivet, por mund të pyesim si ndikon nevoja për përkatësi te gjykimi moral.
Po kështu, një i ri mund ta quajë veten marksist, nacionalist dhe “islamist” pa u ndalur te themelet e këtyre botëkuptimeve, ose të konsumojë lëndë narkotike ndërsa flet me siguri për autenticitetin e haditheve. Shembujt nuk mjaftojnë për të gjykuar një brez; ata tregojnë sa të paqëndrueshme bëhen bindjet kur etiketimet përqafohen pa reflektim dhe njohuria fetare ndahet nga përgjegjësia morale.
Në këtë paqartësi gjejnë terren organizatat dixhitale, grupet dhe figurat që veprojnë në rrjetet sociale, duke u folur të rinjve përmes pakënaqësive, emocioneve dhe nevojës për t’u ndier pjesë e një kauze, shpesh përpara se t’u japin mundësi t’i shqyrtojnë argumentet. E kam vënë re këtë prirje edhe në reagimet ndaj ngjarjeve me karakter ndërkombëtar: disa zëra bëhen të dëgjueshëm vetëm kur u kushton vëmendje politika dhe heshtin sapo ajo e zhvendos interesin diku tjetër. Një ndjeshmëri e tillë, e varur nga ritmi i politikës, vështirë se mund t’i ndihmojë të rinjtë të ndërtojnë një gjykim të pavarur; përkundrazi, rrezikon t’u mësojë të zgjedhin anë para se të peshojnë të vërtetën dhe ta shohin mospajtimin si armiqësi.
Këtu më vjen ndër mend Imam Muhamed Rashid Rida, tepër pak i studiuar në mjedisin tonë. Në Tefsir el-Menar, duke komentuar ajetin 159 të sures El-En’am, ai kritikon fanatizmin ndaj shkollave të mendimit dhe përçarjen që lind kur njerëzit i kthejnë çështjet e interpretueshme në arsye armiqësie, duke dalluar mospajtimin e argumentuar nga imitimi i verbër që sjell përjashtimin e tjetrit. Ky dallim duhet të jetë pjesë e edukimit fetar: të rinjtë të mos mësojnë vetëm cilin qëndrim të mbajnë, por edhe si të arrijnë tek ai përmes dijes, shqyrtimit dhe respektit.
Ftohja e rinisë nga referimi i shëndetshëm fetar na kujton përgjegjësinë. Ne nisëm pa dije, por kishim mësues pranë; nuk mjafton t’ua numërojmë gabimet e t’i lëmë vetëm. Duhet të rikthejmë edukimin dhe këshillimin, duke ndryshuar metodën e mësimdhënies: nga filozofitë shumëfjalëshe te daveti i parë, ai natyral, që në thelb ka besimin te Zoti dhe afrimin e njerëzve me Të. Nëse nuk duam që brezi i ullirit, simbol i bereqetit, të bëhet brezi i mullirit, simbol i thërrmimit, le të kujtojmë porosinë e Profetit Muhamed (a.s.): “Secili prej jush është kujdestar dhe secili është përgjegjës për ata që ka nën kujdes”. Çelësin e komunikimit mund ta kemi hedhur në det ne; përpara se t’u kërkojmë llogari të rinjve, duhet të nisim ta kërkojmë vetë.
Dr. Arben Ramkaj është Zëvendëspresident i European Muslims League (EML) dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
