Forcat e ShBA-së kanë “ndaluar plotësisht” tregtinë detare drejt dhe nga Irani, deklaroi të martën komandanti i Komandës Qendrore të ShBA-së (CENTCOM), ndërsa bllokada vazhdon.
“Në më pak se 36 orë që nga vendosja e bllokadës, forcat amerikane kanë ndaluar plotësisht tregtinë ekonomike që hyn dhe del nga Irani përmes detit”, tha në një deklaratë admirali Brad Cooper.
Deklarata e tij erdhi pasi CENTCOM-i nisi të hënën një bllokadë të gjithë trafikut detar që hyn dhe del nga portet iraniane.
Komanda, e cila është përgjegjëse për operacionet ushtarake në Lindjen e Mesme, tha se bllokada po “zbatohet në mënyrë të paanshme ndaj anijeve të të gjitha vendeve” që hyjnë ose dalin nga portet iraniane në Gjirin Persik dhe Gjirin e Omanit.
“Forcat e CENTCOM-it nuk do të pengojnë lirinë e lundrimit për anijet që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit drejt dhe nga porte jo-iraniane”, thuhet në deklaratë.
Bllokada pasoi bisedimet e rralla të drejtpërdrejta mes ShBA-së dhe Iranit në Pakistan gjatë fundjavës, që synonin t’i jepnin fund luftës që nisi më 28 shkurt, por negociatat nuk arritën të prodhonin një marrëveshje.
Më herët të martën, CENTCOM-i njoftoi se gjatë 24 orëve të para asnjë anije nuk arriti të kalojë bllokadën amerikane, ndërsa gjashtë anije tregtare iu bindën udhëzimeve të forcave amerikane për t’u kthyer dhe për të hyrë sërish në një port iranian në Gjirin e Omanit.
Gazeta The Wall Street Journal, duke cituar një zyrtar amerikan, raportoi se forcat detare të ShBA-së kanë ndaluar tetë tankerë nafte që hynin ose dilnin nga portet iraniane që nga fillimi i bllokadës.
