Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në fshatin Bokshiq të Klinës, ku një person dyshohet se ka privuar nga jeta vëllanë e tij, Faruk Isufi.
Sipas informacioneve fillestare, konflikti mes dy vëllezërve ka nisur në oborrin e shtëpisë, teksa viktima ishte duke punuar. Gjatë një fjalosjeje, thuhet se viktima ka tentuar ta shmangë vëllanë duke përdorur mjetin me të cilin po punonte.
Pas përplasjes verbale, i dyshuari dyshohet se ka hyrë në shtëpi, ka marrë një armë zjarri dhe ka shtënë disa herë në drejtim të viktimës.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:08. Viktima është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Pejës, por nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.
“Në vendin e ngjarjes është sekuestruar një armë dhe tri gëzhoja, ndërsa është arrestuar një person i dyshuar,” thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Pejë, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Policisë, ka konfirmuar se i dyshuari është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për veprën penale “Vrasje e Rëndë”.
“Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar në Spitalin Rajonal të Pejës. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë,” thuhet në komunikatën zyrtare.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa autoritetet kanë bërë të ditur se do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.
