Intervista në FT ka nxitur debat, jo për përgjigjet që dha, por për kulmin e vulgaritetit që shënoi
O tempora, o mores! Kur mendon se udhëheqësi ynë global ka prekur fundin e estetikës dhe etikës rilindase, ai gjen gjithmonë një mënyrë të re për të na mahnitur.
Këtë herë jo nga ballkoni i shtëpisë së tij në Surrel apo përmes ndonjë videoje të kuruar për rrjetet sociale, por drejtpërdrejt nga faqet e prestigjiozes britanike Financial Times.
Një “F..ck you” e artikuluar me atë lehtësinë e dikujt që sapo ka përfunduar kafenë e mëngjesit, drejtuar qindra mijëra qytetarëve që guxojnë t’i kërkojnë llogari për projektet miliardëshe në Sazan dhe Nartë.
Shkenca na thotë se koprolalia është një çrregullim neurologjik që shfaqet përmes përdorimit të pavullnetshëm të fjalëve të pista apo shprehjeve tabu në publik.
Por te udhëheqësi ynë kjo nuk paraqitet si sëmundje por si stil qeverisjeje. Madje si një lloj arti shtetëror.
Është një strategji e çuditshme, por e njohur: kur nuk ke më argumente bindëse për të mbrojtur vendimet e tua dhe kur bilanci i qeverisjes të rëndon mbi supe, kalon te gjuha e rrugës.
Argumenti zëvendësohet nga fyerja, debati nga përçmimi dhe llogaridhënia nga tallja. Në fakt, pas ironisë fshihet një përzierje e fortë dëshpërimi, fyerjeje dhe revolte.
Është tronditëse të shohësh se si arroganca e pushtetit duket se ka zëvendësuar përfundimisht arsyen, etikën minimale institucionale dhe respektin për qytetarin.
Kur njerëzit dalin në shesh për të kërkuar transparencë, përgjegjësi dhe dorëheqje, përgjigjja e kryeministrit të tyre në një media ndërkombëtare është një ftesë vulgare për t’u vetëpërdorur seksualisht.
“Nuk më takon mua të provoj se nuk jam Kumbari i mafies, por i atyre ta provojnë…”. Një mrekulli më vete juridike dhe logjike! Supozimi i pafajësisë absolute për veten dhe supozimi i fajësisë për këdo që guxon të ketë sy, veshë dhe mendim kritik.
Ky nuk është thjesht një shpërthim verbal i një “koprolalisti” të zakonshëm. Është manifestimi i një mentaliteti që e sheh pushtetin si pronë personale dhe qytetarin si pengesë të bezdisshme.
Është gjuha e një njeriu që nuk ndien më nevojën të bindë, por vetëm të imponojë. Në atë intervistë u tha pothuajse gjithçka. U tregua qartë se ku renditen qytetarët në hierarkinë e prioriteteve, si perceptohet kritika publike dhe sa peshon zëri i shqiptarëve përballë interesave të investitorëve të mëdhenj.
Kur shteti zgjedh të komunikojë me gjuhën e rrugaçërisë, ai ka humbur një pjesë të rëndësishme të autoritetit të tij moral.
Çfarë i ka mbetur ende pa thënë? Ndoshta shumë pak. Mbetet vetëm të presë ditën kur qytetarët t’i japin përgjigjen e tyre, jo me gjuhën e fyerjes, por me gjuhën e dinjitetit dhe të votës. \tesheshi
