Ballina Lajmet Chicago, 9 të vdekur dhe dhjetra të plagosur nga sulmet e armatosura

Chicago, 9 të vdekur dhe dhjetra të plagosur nga sulmet e armatosura

Nëntë persona kanë humbur jetën dhe 60 të tjerë janë plagosur nga sulmet e armatosura në dy ditët e fundit në qytetin e Chicagos në SHBA, transmeton Anadolu Agency (AA).

Policia e Chicagos ka lëshuar një njoftim në lidhje me sulmet e armatosura gjatë fundjavës, kur u organizua “Lollapalozza”, një nga festivalet më të mëdha muzikore në SHBA.

Policia tha se nëntë persona kanë humbur jetën në sulmet e armatosura mbrëmjen e së premtes dhe të dielën gjatë natës, ndërsa 60 të tjerë janë plagosur, ndërsa njoftoi se në mesin e të vdekurve gjendet një vajzë 17 vjeçare dhe se një fëmijë i moshës 11 vjeçare është në mesin e të plagosurve.

Numri më i madh i sulmeve ka ndodhur të dielën në pjesën jugore dhe perëndimore të qytetit. Vetëm brenda shtatë orëve, katër persona janë vrarë dhe 40 të tjerë janë plagosur.

Që nga fillimi i vitit, 314 persona kanë humbur jetën nga sulmet e armatosura në Chicago, kurse 1.769 janë plagosur.

Në Chicago, që njihet si “kryeqyteti i krimit” në SHBA, 674 persona humbën jetën vitin e kaluar në 2.785 sulme të armatosura, ndërsa 3.567 u plagosën.

Exit mobile version