Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka biseduar me kryeministrin e Kosovës dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.
Ai ka shkruar se e ka dënuar dhunën kundër Policisë së Kosovës ku ka mbetur i vdekur rreshteri Afrim Bunjaku.
Diplomati amerikan ka theksuar se palët duhet të kthehen në dialog dhe të zbatojnë zotimet e marrëveshjes së Ohrit.
“Bisedova me kryeministrin Albin Kurti për sulmin e tmerrshëm të dielën në Kosovë. Dënova ashpër dhunën kundër Policisë së Kosovës; shpreha ngushëllime për humbjen e rreshterit Afrim Bunjaku. Të dyja palët duhet të kthehen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE dhe të implementojnë premtimet e (marrëveshjes së) Ohrit”, ka shkruar Chollet.
Derisa ka njoftuar për bisedën me presidentin e Serbisë, Chollet ka thënë se ka theksuar rëndësinë e de-përshkallëzimit dhe shmangien e veprimeve që mund të nxisin më tej tensionet.
“Bisedova me presidentin Vuçiq për rëndësinë e de-eskalimit të menjëhershëm në veri të Kosovës dhe shmangien e veprimeve që mund të nxisin më tej tensionet. Humbja tragjike e jetës thekson nevojën urgjente për të rivendosur qetësinë dhe për t’u kthyer në Dialogun e lehtësuar nga BE”, ka shkruar ai.