Seán Ronayne ka një mision, të regjistrojë cicërimat e zogjve në Irlandë. Ornitologu 36 vjeçar ka studiuar për vite me radhë më shumë se 200 lloje zogjsh dhe jo pak herë ka folur për pasionin e tij të madh. Pas një videoje që bëri xhiron e rrjetit, një dokumentar me titull “Kënga e zogjve” pritet t’i japë të riut vëmendjen ndërkombëtare.
Megjithatë, kjo gjë pak rëndësi ka për Ronayane. Shqetësimi i tij kryesor lidhet me rreziqet që i kanosen jetës së egër në Irlandë, që duhet theksuar, ka ndër peisazhet më mbresëlënëse në glob.
Por kur nisi gjithçka?
“Isha rreth 2 ose 3 vjeç. Mbaj mend qytetin tim të lindjes, Cobh, kur bashkë me tim atë dhe gjyshin dëgjonim cicërimat e zogjve. Ata e adhuronin natyrën”, tregon Ronayne.
Zogu i parë që i bëri përshtypje ishte “magpie”.

“Sa herë e dëgjoj, i gjithë stresi im zhduket”, thotë ai.
Ideja për të regjistruar cicërimat i erdhi në 2020-ën, pasi u kthye nga Spanja. Një tjetër motiv ishte fakti se rreth 63% e shpendëve në Irlandë rrezikonin zhdukjen. Kështu, Ronayne nuk humbi më kohë. Të gjitha audiot ai i ka shpërndarë në rrjetet sociale dhe interaktiviteti ka qenë i lartë e shumë pozitiv.
Karrierën e tij në këtë fushë, që për shumë mund të duket e çuditshme, ai ia atribuon partneres së tij, Albës. “Ajo më tha që duhet të ndiqja punën e ëndrrave dhe se do më mbështeste në çdo hap”, shprehet ai.
Në dokumentarin që përmendëm më sipër, Ronayne rrëfen po ashtu se e ka zbuluar shumë vonë se është autik. Kjo falë Albës, e cila kishte mbaruar masterin në fushën psiko-sociale dhe mjekësore. Megjithatë, asgjë nuk e ka ndaluar në realizimin e kësaj ëndrre. Deri më tani, ka regjistruar 201 zogj të ndryshëm, me mbi 12 mijë audio në total.