Dogana e Kosovës ka njoftuar se gjatë një kontrolli të detajuar në pikëkalimin kufitar Vermicë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka zbuluar dhe konfiskuar mallra të padeklaruara, nën dyshimin se shkelin të Drejtën e Pronësisë Intelektuale.
Sipas njoftimit, gjatë kontrollit janë gjetur mallra të padeklaruara si: 2,000 copë cigare të markës “Marlboro Gold” dhe 240 copë pije energjike të markës “Red Bull”
Pala e përfshirë nuk kishte deklaruar mallin në momentin e paraqitjes në kufi, duke kryer kështu një kundërvajtje doganore, e sanksionuar në bazë të nenit 251 dhe nenit 244 të Kodit Doganor dhe të Akcizave të Kosovës (KDAK).
Duke qenë se bëhet fjalë për mallra akcizore, autoritetet kanë ndërmarrë masën e konfiskimit të mallit dhe mjetit transportues, në përputhje me dispozitat ligjore përkatëse, deri në përfundimin e procedurave zyrtare.
Dogana e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit, parandalimin e kontrabandës dhe luftimin e tregtisë së paligjshme, me qëllim të mbrojtjes së tregut dhe konsumatorëve në Republikën e Kosovës.
