Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Cilat janë tetë vende arabe dhe islame që i bashkohen Bordit të...

Cilat janë tetë vende arabe dhe islame që i bashkohen Bordit të Paqes “made in Trump”?

Një inisiativë që nis nga Gaza për të vijuar me vatra të tjera konflikti

Ministrat e jashtëm të tetë vendeve arabe dhe islame lëshuan një deklaratë të përbashkët të mërkurën duke përshëndetur ftesën e Presidentit të SHBA-së Donald Trump drejtuar udhëheqësve të tyre për t’u bashkuar me Bordin e Paqes në Gaza.

Ministrat e jashtëm të Katarit, Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe, Egjiptit, Jordanisë, Turqisë, Indonezisë dhe Pakistanit njoftuan në një deklaratë të përbashkët se secili vend do të nënshkruajë dokumentet për anëtarësim në Bordin e Paqes, në përputhje me procedurat e tyre përkatëse ligjore kombëtare.

Ministrat shpjeguan se misioni i Bordit të Paqes është “të vendosë një armëpushim të përhershëm, të mbështesë rindërtimin e Gazës dhe të promovojë arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme bazuar në sigurimin e të drejtës së popullit palestinez për vetëvendosje dhe krijimin e shtetit të tyre në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, në një mënyrë që kontribuon në arritjen e sigurisë dhe stabilitetit për të gjitha vendet dhe popujt e rajonit”.

Gjatë një takimi me Trump në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi shprehu kënaqësinë e tij për anëtarësimin në Bordin e Paqes, duke thënë se “është e rëndësishme të ecim pozitivisht në fazën e dytë dhe do të gjeni bashkëpunimin tonë të plotë për ta bërë planin e paqes të Trump për Gazën një sukses”.

Një burim turk i tha Reuters se ministri i Jashtëm Hakan Fidan do të përfaqësonte Presidentin Rexhep Tajip Erdogan në Bordin e Paqes të kryesuar nga Trump. Agjencia Anadolu raportoi se Fidan do të vizitonte Zvicrën të enjten për të marrë pjesë në një ceremoni nënshkrimi për Kartën e Këshillit të Paqes për Gazën.

I dërguari i SHBA-së, Steve Wittkopf, tha sot se midis 20 dhe 25 udhëheqës botërorë kishin rënë dakord të bashkoheshin me Bordin e Paqes dhe Bloomberg raportoi se administrata e SHBA-së kishte ftuar rreth 60 vende.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi një projekt-rezolutë në mesin e nëntorit që autorizonte krijimin e Bordit të Paqes dhe u lejonte vendeve bashkëpunuese të krijonin një forcë ndërkombëtare për të stabilizuar Gazën.

Sipas planit të Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza, bordi duhej të mbikëqyrte përkohësisht administrimin e sektorit, por presidenti amerikan tha më vonë se ky bord do ta zgjeronte punën e tij në konflikte anembanë botës. /tesheshi

Exit mobile version