Sipas Shahram Akbarzadeh, ekspert nga Universiteti Deakin në Australi, Irani ka sqaruar qartë se është i gatshëm të pranojë një regjim të rreptë inspektimesh ndërkombëtare për të monitoruar programin e tij bërthamor.
“Irani e ka bërë të ditur se nuk ka ndërmend të ndjekë një program për prodhimin e armëve bërthamore,” shpjegoi Akbarzadeh.
Në këmbim, Teherani kërkon lehtësim të sanksioneve. “Nëse evropianët arrijnë të propozojnë një zgjidhje që respekton këto vija të kuqe, atëherë ka gjasa reale për një zgjidhje diplomatike,” shtoi ai.
Akbarzadeh theksoi gjithashtu se nuk mund të pritet që Irani “thjesht të dorëzohet pa kushte përballë sjelljes agresive të SHBA-së”.
“Kjo është ajo që iranianët e kanë quajtur sjellje ngacmuese nga SHBA, dhe duket vërtet ashtu: kërcënimi me dhunë, kërcënimi për vrasjen e udhëheqësit iranian – kjo është frikësim,” tha ai.
“Prandaj, nuk mund të pritet që ata të dorëzohen… ata do të kërkojnë një formë kompromisi që gjithashtu u lejon të ruajnë dinjitetin.” /mesazhi
