Ai që dëshiron të kuptojë rrjedhën e njerëzimit nuk mund ta kuptojë atë pa u njohur dhe pa u thelluar në studimin e qytetërimit islam. Kjo jo vetëm sepse ai përfaqëson një hallkë të rëndësishme në zinxhirin e historisë, dhe jo thjesht sepse ai lidhi qytetërimet e lashta me ato moderne, por edhe sepse kontributet e muslimanëve në rrugëtimin e njerëzimit janë shumë të shumta dhe tepër të rëndësishme. Në të vërtetë, nuk mund të kuptojmë përparimin që ka arritur njerëzimi në cilëndo fushë të jetës pa studiuar qytetërimin islam me të gjitha veçoritë dhe hollësitë e tij, që nga koha e profetësisë e deri në kohën tonë. Ai është vërtet një qytetërim i lartë.
Megjithatë, ne shohim dhe vërejmë një shtim të sulmit të ashpër që i drejtohet Islamit dhe muslimanëve. Një nga elementet dhe mekanizmat e këtij sulmi është akuzimi i muslimanëve për prapambetje dhe reaksionarizëm, etiketimi i tyre me ngurtësi dhe barbarizëm, si dhe pretendimi se dhuna dhe terrorizmi janë pjesë e natyrshme e moralit dhe cilësive të tyre. Shumë muslimanë qëndrojnë përballë këtyre akuzave me duar të lidhura dhe me gjuhë të heshtur; nuk janë në gjendje të japin një përgjigje bindëse apo një mbrohen kundra këtyre pretendimeve. Kjo heshtje, në pjesën më të madhe, vjen si pasojë e padijes sonë të madhe për rrënjët tona, historinë tonë, metodologjitë tona dhe qytetërimin tonë.
Përveç padijes që i lidh mendjet tona, ekziston edhe zhgënjimi dhe dëshpërimi që sundon ndjenjat e muslimanëve si rezultat i shumë faktorëve që po kalon umeti në kohën tonë. Pa dyshim, ndjekja e hartës politike të botës islame ngjall në zemër shumë trishtim. Po ashtu, gjendja shkencore, kulturore, ekonomike, madje edhe morale, vuan nga një prapambetje e madhe që nuk i përshtatet një umeti fisnik, si umeti i Islamit. Kjo lë në shpirt pasoja negative që e shtyjnë njeriun drejt një dëshpërimi të papranueshëm dhe një plogështie që nuk i ka hije.
Në këto rrethana është e domosdoshme që të kthehemi te rrënjët tona, të lexojmë historinë tonë dhe të njohim shkaqet e epërsisë dhe udhëheqjes sonë; sepse gjendja e fundit e këtij umeti nuk do të përmirësohet veçse me atë me të cilën u përmirësua fillimi i tij. Prandaj ne nuk e studiojmë historinë dhe nuk thellohemi në qytetërim vetëm për njohuri teorike apo për përdorim në debate akademike, por synojmë rindërtimin, riparimin e çarjeve dhe kthimin e muslimanëve në rrugën e drejtë. Gjithashtu synojmë t’i bëjmë të njohur botës rolin tonë në rrugëtimin e njerëzimit dhe kontributin tonë në jetën e njerëzimit, jo nga mendjemadhësia apo mburrja, por për t’i dhënë të drejtën atij që i takon dhe për të ftuar në fenë më të mirë, e cila ndërtoi umetin më të mirë që është nxjerrë për njerëzit.
Megjithëse mendimtarët dhe autorët ndryshojnë në përkufizimin e kuptimit të fjalës “qytetërim”, nga këndvështrimi islam ajo nënkupton aftësinë e njeriut për të ndërtuar një marrëdhënie të drejtë me Zotin e tij, me njerëzit me të cilët jeton dhe me mjedisin me të gjitha pasuritë e tij. Sa më shumë që kjo marrëdhënie të ngrihet në nivel më të lartë, aq më shumë qytetërimi përparon dhe zhvillohet; dhe sa më shumë të dobësohet, aq më shumë njeriu bëhet i prapambetur dhe në rënie. Pra, kulmi i qytetërimit është që njeriu të jetë në gjendje të ndërtojë marrëdhënien më të mirë me Zotin e tij, shoqërinë dhe mjedisin; ndërsa kulmi i prapambetjes është dështimi në ndërtimin e tyre.
Ka edhe shoqëri që mund të jenë shumë të përparuara në një aspekt, ndërsa në një aspekt tjetër mund të jenë tepër të prapambetura. Ka njerëz që janë në gjendje të shpikin makina, të krijojnë pajisje dhe të zhvillojnë shpikje, duke i përdorur ato mirë pa i shkaktuar dëm elementeve të tjera të mjedisit. Por nga ana tjetër mund të gjejmë të njëjtin njeri që mohon ekzistencën e Krijuesit të Madhëruar ose e neglizhon adhurimin dhe kthimin drejt Tij. Nga një kënd tjetër, njeriu mund të sillet mirë me fëmijët, prindërit, bashkëshorten dhe fqinjët, duke u marrë me ta brenda kornizës së moralit të lartë dhe vlerave fisnike; por mund të sillet keq me mjedisin e tij, duke mos u kujdesur për zogjtë apo peshqit, kështu që shkatërron, dëmton, lëndon dhe e tepron.
Madje, njeriu mund të jetë i qytetëruar në një aspekt të caktuar, por i prapambetur në të njëjtin aspekt nga një kënd tjetër. Kjo do të thotë se ai mund të sillet mirë me të afërmit, shoqërinë dhe umetin e tij, por mund të sillet keq me shoqëritë e tjera njerëzore; nuk i trajton ata me drejtësinë me të cilën trajton njerëzit e tij dhe nuk komunikon me ta me mëshirën me të cilën sillet me umetin e tij. Po ashtu, njeriu që shpik një armë të avancuar mund të konsiderohet i qytetëruar nëse e përdor atë për t’u mbrojtur, për të vendosur të drejtën dhe drejtësinë, si dhe për të realizuar lirinë dhe të mirën. Por nëse këtë armë të zhvilluar e përdor për padrejtësi dhe shtypje, atëherë ai është njeri i prapambetur, edhe nëse ka arritur kulmin e përparimit njerëzor në shpikje dhe inovacion.
Po kështu, shtetet që sot quhen shtete të qytetëruara, si Amerika, Britania, Franca dhe të tjera, mund të jenë vërtet të përparuara në zhvillimin e mjedisit dhe në shfrytëzimin e pasurive të tij, dhe mund të jenë të përparuara në realizimin e disa të drejtave për njeriun dhe për kafshët. Por ato mund të jenë të prapambetura në zbatimin e disa rregullave morale brenda ose jashtë shoqërive të tyre. Ai që mohon ekzistencën e Zotit nuk mund të jetë i qytetëruar; ai që krijon marrëdhënie jashtë martesës, nga të cilat lindin pasoja të mëdha negative në shoqëri, si shthurja morale, përzierja e prejardhjeve dhe humbja e fëmijëve, nuk mund të jetë i qytetëruar. Ai që neglizhon prindërit dhe ndërpret lidhjet farefisnore nuk mund të jetë i qytetëruar. Ai që pi alkool, merret me kamatë, përdor drogë, përhap bixhozin dhe legalizon prostitucionin nuk mund të jetë i qytetëruar. Po ashtu, ai që përdor standarde të dyfishta, ushtron padrejtësi ndaj popujve të dobët dhe shfrytëzon pasuritë e të varfërve nuk mund të jetë i qytetëruar.
Kjo nuk do të thotë se ne ua mohojmë përparimin në fusha të tjera të jetës, si shpikja e sistemeve të dobishme, makinave të dobishme dhe të ngjashme. Në këtë kuptim mund të themi, pa paragjykim apo favorizim, se umeti islam është i vetmi në botë që zotëron një koncept gjithëpërfshirës për qytetërimin. Kjo sepse ai ka një kuptim të saktë për Krijuesin e Madhëruar dhe e di se si ta adhurojë Atë siç duhet. Po ashtu, ai e ka bërë përmbushjen e moralit të lartë një nga detyrat më të mëdha pas adhurimit të Allahut të Lartësuar.
Ky moral i mirë është zbatuar me të gjithë pjesëtarët e umetit, qofshin të afërt apo të largët. Madje kjo është shtrirë edhe në marrëdhëniet me kundërshtarët dhe kundërvënësit; deri në atë pikë sa muslimanët, edhe në gjendje lufte dhe në kulmin e mosmarrëveshjes me të tjerët, respektojnë rregullat morale dhe sillen me qytetërimin që u takon si muslimanë. Qytetërimi islam është ai që dëshmoi hyrjen e një gruaje në zjarr për shkak të një maceje që e kishte burgosur, dhe gjithashtu dëshmoi hyrjen e një burri në xhenet sepse i dha ujë një qeni. Ky qytetërim ka kontribuar drejtpërdrejt edhe në përparimin e shumë shkencave jetësore si mjekësia, inxhinieria, astronomia, kimia, fizika, gjeografia dhe shumë shkenca të tjera.
Nga ky këndvështrim, qytetërimi islam është i vetmi qytetërim që ka arritur kulmin e zhvillimit në të gjitha aspektet, ndërsa qytetërimet e tjera janë të mangëta, qoftë në një aspekt, qoftë në disa. Ne mund të themi se shoqëria romake ishte e përparuar në disa gjëra dhe e prapambetur në të tjera; po ashtu edhe shoqëria perse, indiane apo kineze. Gjithashtu, shoqëritë moderne evropiane dhe amerikane kanë përparuar në disa fusha, por kanë mbetur prapa në fusha të tjera. Nga kjo kuptojmë fjalën e Allahut të Lartësuar: “Ju jeni umeti më i mirë që është nxjerrë për njerëzit.”[1]
Pra, ne nuk po flasim për një qytetërim të zakonshëm që ka të ngjashëm apo të barabartë, por për “qytetërimin model”, me të cilin duhet të maten të gjitha shoqëritë. Është e qartë në historinë e qytetërimit islam se sekreti më i madh i epërsisë dhe suksesit të tij ishte lidhja e fortë me Librin e Allahut të Lartësuar dhe me Sunetin e të Dërguarit (a.s). Këto dy burime e nxitën forcimin e marrëdhënies mes muslimanit dhe Zotit të tij, shoqërisë së tij dhe mjedisit të tij. Në to gjenden ligje dhe rregulla të sakta që garantojnë ndërtimin e një qytetërimi të drejtë dhe të lartë në të gjitha fushat, madje edhe në fushat materiale dhe ato të argëtimit.
Ky kuptim u shpreh shumë qartë edhe nga historiani francez Gustave Le Bon, kur dha dëshminë e tij për qytetërimin islam. Ai tha: “Qytetërimi i arabëve muslimanë i futi popujt e egër evropianë në botën e njerëzimit. Universitetet e Perëndimit nuk patën për një kohë të gjatë tjetër burim shkencor përveç veprave të arabëve; ata janë ata që e qytetëruan Evropën materialisht, intelektualisht dhe moralisht. Historia nuk njeh një popull që ka prodhuar atë që prodhuan ata.”
Pyetja e rëndësishme që lind në mendjen e të gjithëve është: nëse kemi arritur këtë nivel të madh përparimi dhe zhvillimi, pse kemi arritur sot në këtë gjendje plot kriza, probleme, rënie dhe prapambetje? Përgjigjja e qartë është se muslimanët i braktisën shkaqet e forcës së tyre dhe e neglizhuan Kuranin dhe Sunetin me ligjet dhe rregullat e tyre të përkryera. Madje më shumë se kaq, muslimanët u magjepsën nga Perëndimi deri në atë masë sa filluan të kërkojnë tek qytetërimi perëndimor shkaqet e forcës dhe mjetet e rilindjes, pa kuptuar se ai mund të jetë i lartë në një fushë, por ka rënë në shumë fusha të tjera; sepse në fund ai është produkt i njerëzve që gabojnë dhe ia qëllojnë, ndërsa Islami është ligj hyjnor i përkryer, pa gabime dhe pa të meta.
Prandaj duhet të kemi besim të vërtetë dhe praktik në fenë dhe ligjin tonë, një besim që na shtyn të krenohemi me Islamin dhe njëkohësisht të ngrihemi mbi qytetërimet njerëzore. Por së pari duhet të kuptojmë në mënyrë praktike se suksesi i këtij umeti qëndron në ndjekjen e Kuranit dhe Sunetit në të gjitha fushat e jetës. Epërsia e qytetërimit islam nuk ishte e kufizuar vetëm në mihrabin e namazit apo në fushat e xhihadit, por në çdo detaj të jetës së njeriut. Përvoja islame pati sukses të paparë në besim dhe mendim, në arte dhe letërsi, në shkencë dhe eksperimente, në moral dhe vlera, në sisteme dhe institucione, si dhe në paqe dhe luftë. Dhe kjo përvojë e veçantë u ndërtua në të gjitha fazat e saj mbi parimet e qarta të Kuranit dhe Sunetit.
Nëse duam të kthehemi në këtë model të mrekullueshëm të jetës, nuk ka alternativë tjetër përveç sheriatit. Nuk ka zgjedhje tjetër për besimtarin në fenë e Allahut: “Nuk i takon asnjë besimtari dhe asnjë besimtareje që, kur Allahu dhe i Dërguari i Tij vendosin për një çështje, të kenë zgjedhje tjetër në atë çështje. Dhe kush i kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai ka devijuar në një humbje të qartë.”[2]
I Dërguari fisnik (a.s) ka thënë: “Kam lënë mes jush dy gjëra; nuk do të humbni përderisa t’u përmbaheni atyre: Librin e Allahut dhe Sunetin tim.”
Prandaj roli ynë i parë është një kthim i sinqertë, një kthim që do të na garantojë udhëzim pas humbjes, udhëheqje pas pasimit të të tjerëve dhe qytetërim pas barbarisë; si dhe do të na garantojë, përveç lumturisë së kësaj bote, edhe lumturinë e botës tjetër. Allahu i Lartësuar thotë: “Kush bën vepra të mira, qoftë mashkull apo femër, duke qenë besimtar, Ne do t’i japim një jetë të mirë dhe do t’i shpërblejmë sipas veprave më të mira që kanë bërë.”[3]
Gjithashtu duhet të bëjmë përpjekje të mëdha për të njohur rrënjët dhe origjinën tonë. Nuk mjafton një broshurë e vogël apo disa faqe të pakta, madje nuk mjafton as një vëllim i vetëm librash. Na duhet të kushtojmë kohë, madje edhe jetë të tëra për të lexuar këtë histori të lavdishme dhe për të studiuar fazat dhe aspektet e saj, që të thellohemi në trashëgiminë e madhe që na kanë lënë dijetarët e sinqertë dhe mendimtarët e mëdhenj.
Duhet të lexojmë për familjen, të drejtat, politikën, mendimin, ekonominë, gjyqësorin, artin, bukurinë dhe shumë fusha të tjera. Duhet të njohim figurat tona të mëdha dhe paraardhësit tanë të lavdishëm: si jetuan, si e kuptuan fenë dhe si e udhëhoqën botën me të. Historia përmban thesare të panumërta dhe pasuri të pafundme, dhe nëse kjo është e vërtetë për çdo histori, është edhe më e vërtetë për historinë e Islamit.
Po ashtu duhet ta përcjellim këtë histori me të gjitha pasuritë e saj tek njerëzit e botës, sepse shumë prej tyre e injorojnë historinë dhe qytetërimin tonë, madje njohin për ne gjëra të falsifikuara dhe një histori të shtrembëruar. Kjo krijon frikë, dyshim, përqeshje, madje mund të çojë edhe në armiqësi dhe luftë; sepse njeriu, nga natyra e tij, është armik i asaj që nuk e njeh.
Mesazhi islam nuk zbriti vetëm për banorët e Gadishullit Arab, por që nga dita e parë për mbarë njerëzimin. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne nuk të kemi dërguar ty veçse si mëshirë për botët.”[4] Profeti (a.s) ka thënë: “Çdo Profet është dërguar vetëm te populli i tij, ndërsa unë jam dërguar për të gjithë njerëzit.”
Ky koncept kërkon nga ne një përpjekje të vazhdueshme për ta çuar këtë fe dhe këtë qytetërim te gjithë njerëzit e botës, për të mbrojtur historinë tonë nga dyshimet dhe për t’i treguar njerëzimit kontributin tonë në jetën e tyre.
Në këtë mënyrë të gjithë do ta kuptojnë se shkaku i këtij përparimi është kjo fe madhështore. Shkrimtari dhe gazetari britanik Bodley, pasi studioi qytetërimin islam, tha me admirim për muslimanët: “Ata ishin si shiu që e bën tokën pjellore kudo që bie. Rilindja në Evropë i detyrohet pasardhësve të sahabëve të Muhamedit (a.s), të cilët mbajtën pishtarin e kulturës në një kohë kur Evropa ishte e zhytur në errësirën e Mesjetës.”
Por si mund ta kishte dhënë Bodley këtë dëshmi pa studim dhe pa njohuri? A nuk është e mundur që këto dëshmi të shtohen? A nuk mund të bëhen ato çelës për zemrat dhe mendjet e jomuslimanëve?
Kjo është një përgjegjësi e madhe dhe një amanet i madh: ta çojmë këtë fe tek gjithë njerëzimi. Ne jemi pasuesit e Profetit të fundit (a.s) dhe kemi marrë përsipër amanetin e përcjelljes së mesazhit.
Dhe ne nuk do ta rikthejmë këtë qytetërim të artë veçse me shpirt të fortë, moral të lartë, krenari pa arrogancë dhe fuqi pa padrejtësi. Kjo është fryma që mund ta mbajë këtë mesazh dhe kjo është shpirti që i përshtatet këtij qytetërimi.
Nuk kemi dyshim se rikthimi i muslimanëve në krye të botës do të bëhet realitet dhe do ta shohin si të afërtit ashtu edhe të largëtit: “Ata thonë: Kur do të ndodhë kjo? Thuaj: Ndoshta është afër.”[5]
Së fundi falënderojmë shumë Allahun që na krijoi muslimanë. Krenohemi që mbajmë këtë fe dhe që jemi pasues të zotërisë së të dërguarve dhe njeriut më të mirë, Muhamedit (a.s). Po ashtu krenohemi që Allahu i Lartësuar na ka dhënë këtë histori të ndritshme dhe këtë qytetërim të pastër. Ka ardhur koha të ngremë kokën lart dhe t’u themi të gjithëve me krenari: falënderimi i takon Allahut, ne jemi muslimanë.
Autor: Ragib Serxhani
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Ali Imran: 110.
[2] – Sure Ahzab; 36.
[3] – Sure Nahl: 97.
[4] – Sure Enbija: 107.
[5] – Sure Isra: 51.
