Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ç’ndodhi me “paqebërësin” Trump”?!

Ç’ndodhi me “paqebërësin” Trump”?!

Nga “mjeshtri i marrëveshjeve” te arkitekti i zjarreve: kur mburrja për tetë luftëra të shuara përplaset me realitetin e përgjakshëm…

Ironia e “paqebërësit” Donald Trump ka arritur kulmin e saj brenda një harku kohor rekord. Ndërsa ai vazhdon të mburret me retorikën se ka ndaluar “tetë luftëra” në botë, realiteti i mandatit të tij të dytë, po shpërfaq një tablo krejtësisht të kundërt.

Brenda vetëm një viti, bota po dëshmon lindjen e konfliktit të dytë të madh, duke e kthyer Lindjen e Mesme në një fushëbetejë të hapur, dhe dy herë radhazi kundër Iranit. Është një paradoks therës: njeriu që premtoi t’u jepte fund “luftërave të pafundme”, po i rihap ato me një lehtësi tronditëse.

Dhe dështimi i tij nuk kufizohet vetëm në Teheran. Premtimi i bujshëm se do t’i jepte fund luftës në Ukrainë “brenda 24 orëve”, ka rezultuar në një rreshtim shqetësues me axhendën e Vladimir Putinit.

Në vend që të mbrojë sovranitetin e një kombi të pushtuar, Trump ka zgjedhur një qasje që i ngjan më shumë dorëzimit se sa paqes, duke e lënë Ukrainën në mëshirën e agresorit. Po ashtu, në tragjedinë e Gazës, ai nuk ka zgjedhur rolin e ndërmjetësit të paanshëm, por është bërë palë e hapur me autorët e asaj që shumë organizata ndërkombëtare e quajnë gjenocid, duke injoruar plotësisht mijëra viktimat civile palestineze.

Në këtë sfond të përgjakshëm dhe të dështuar diplomatik, ankesat e tij të vazhdueshme se meriton “Çmimin Nobel për Paqe”, ngjajnë me tekat e një fëmije të llastuar që kërkon një lodër që nuk i takon.

Është gati-gati komike të pretendosh dekoratën më të lartë të paqes botërore, ndërsa dora që duhet të nxitë diplomacinë, po bekon operacione ushtarake si ai që nisi në fundjavë. Trump kërkon vlerësim për një botë që ekziston vetëm në postimet e tij, dhe jo në terrenin ku vdesin njerëz.

Në fakt, është një fat i madh që Komiteti i Nobelit nuk ka rënë pre e presionit të tij. Po t’ia kishin dhënë vitin që shkoi, sot bota do të gjendej në një situatë të paprecedentë dhe poshtëruese: do të detyroheshin t’ia kërkonin mbrapsht medaljen.

Nobelistët e vërtetë ndërtojnë ura bashkëpunimi. Ndërkohë, siç po tregojnë ngjarjet e vitit 2025 dhe fillimit të 2026-ës, Trump po ndërton vetëm skena të reja konflikti, duke dëshmuar se distanca mes mburrjes së tij dhe realitetit, matet me numrin e bombave të hedhura. /tesheshi

Exit mobile version