Ballina Autorë Opinione Cunami diplomatik në Lindjen e Mesme

Cunami diplomatik në Lindjen e Mesme

Mehmet Kalisi

Ajo çka nuk mund të paramendohej deri para pak ditëve në realitet ndodhi. Në një deklaratë të përbashkët saudito-kinezo-iraniano thuhej se: “Të tre vendet njoftojnë se Mbretëria e Arabisë Saudite dhe Republika Islamike e Iranit kanë arritur një marrëveshje që përfshin dakordimin për rifillimin e marrëdhënieve diplomatike mes tyre dhe rihapjen e ambasadave dhe përfaqësive të tyre brenda një periudhe maksimale prej dy muajsh”. Në shikim të parë, rivendosja e marrëdhënieve diplomatike në mes dy vendeve duket si diçka që ka ndodhur edhe herave tjera. Por në periudhën për të cilën po flasim, marrëveshja saudito-iraniane mbyll kapitullin e mosmarrëveshjes në mes tyre, dhe përbën një hap të rëndësishëm drejt zgjidhjes së krizave në rajonin e Lindjes së Mesme, veçanërisht në Jemen. Gjithashtu, në një dimension tjetër do ta kthejë Kinën, si ndërmjetësuese të saj, në një lojtar të madh në rajonin e Gjirit, madje një konkurrent dhe ndoshta një alternativë ndaj rolit amerikan në rajon.

Irani për disa muaj me radhë ishte kërcënuar me protesta të dhunshme të cilat rrezikuan seriozisht pushtetin e mullahëve, shtoja kësaj edhe për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike të rënduar nga sanksionet e ashpra. Dështimi i bisedimeve të Iranit me perëndimin për programin e saj bërthamor, i cili pas luftës në Ukrainë u kthye në pikën zero, për shkakun se Teherani zyrtar nuk mund ta injoronte Moskën në asnjë mënyrë. Pas luftës në Ukrainë, Rusia nuk ishte e interesuar për një marrëveshje të Iranit me perëndimin.

Në rrethana gati të një izolimi total, Irani kishte nevojë për një sukses në politikën e saj të jashtme. Qeveria në Riad e kishte kuptuar mençur këtë pozicion të dobët të Teheranit, ishte moment i volitshëm për të marrë maksimumin nga një marrëveshje me këtë vend, i cili dikur ishte i përkëdhelur nga shumë shtete perëndimore. Irani në këtë rast nuk ishte fare i interesuar për koncesione ndaj Riadit. Nga një marrëveshje me Iranin, Arabia Saudite do të zgjidhte konfliktet në rajon, dhe do të fokusohej drejt realizimit të synimeve të saj për tu bërë qendër globale në ekonomi dhe kulturë. Të njëjtën linjë me Arabinë Saudite janë duke e ndjekur edhe Emiratet e Bashkuara Arabe të cilët kanë paralajmëruar se do hapin së shpejti ambasadat në vendet respektive. “Vendet e rajonit ndajnë një fat”, ishte postimi në Twitter ministrit të jashtëm saudit, Princit Faisal bin Farhan. Vlerësohet se befasia kryesore e kësaj marrëveshje ishte ndërmjetësuesi i kësaj marrëveshje, Kina një superfuqi në rritje, me ambicie dhe qëllime të bëra publike për ta aneksuar Tajvanin, të cilën shtetet perëndimore në vazhdimësi e cilësojnë si rrezikun kryesor për interesat e tyre, madje e vendosin para Rusisë.

Steve Bannon në një intervistë të mëherahme, do të thoshte se Rusia përbën një rrezik margjinal për perendimin, fokusi ynë duhet të jetë ekskluzivisht mbi Kinën. Disa ekspertë politikash me bazë në Uashington, e cilësuan përfshirjen kineze si një sfidë për zbehjen e dominimit amerikan në Lindjen e Mesme. Në të vërtetë, disa zyrtarë arabë të Gjirit, thonë se nuk mund të mbështeten më tek Shtetet e Bashkuara për të garantuar sigurinë e tyre, se duhet ti zgjidhin vetë problemet e tyre, dhe se Kina është e gatshme të ofrojë armë, teknologji dhe investime pa asnjë kusht, duke mos ndërhyrë fare në punët e brendshme të shteteve respektive. Rrjeti televiziv amerikan CNN, më herët kishte raportuar se Arabia Saudite në bashkëpunim me Kinën ka hapur një fabrikë për prodhimin e raketave balistike me rreze të gjatë veprimi. Ndikimi në rritje i Kinës në skenën botërore dhe deklarata trepalëshe e Kinës, Arabisë Saudite dhe Iranit është dëshmi e qartë se diplomacia kineze ka filluar të ushtrojë ndikimin e saj në botë, dhe është dëshmi e transformimit të Pekinit në një fuqi diplomatike dhe ushtarake.

Disa nga pikat kryesore të kësaj marrëveshje akoma nuk janë të qarta, qeveria e Arabisë Saudite e pranon se të gjitha pikat e marrëveshjes me Iranin nuk mund të bëhen publike.

Ndikimi në luftën e Jemenit do të jetë i menjëhershëm dhe besohet të jetë një nga pikat kyçe të kësaj marrëveshje. Wall Street Journal citoi disa zyrtarë amerikanë dhe sauditë të thoshin se Teherani kishte rënë dakord të ndalonte dërgesat e armëve për një grup militant i quajtur Huthi në Jemen, në zbatim të marrëveshjes që arriti së fundi me Riadin. Në terma afatshkurtër sjellja e Iranit në Jemen do të jetë testi kryesor për suksesin apo dështimin e kësaj marrëveshje.

Përveç në Jemen, kjo marrëveshje pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në së paku tri vende arabe, ku ndërhyrja e Iranit ka qenë fatale për popujt e këtyre shteteve, siç janë Iraku (ndoshta në terma afatgjatë do të jetë akoma më i rëndësishëm se Jemeni), Libani dhe Siria. Në rastin e Sirisë, pajtimi saudito-iranian do të ofrojë një mundësi për regjimin e Asadit që të riorganizojë shtëpinë e tij të brendshme dhe të krijojë marrëdhënie të reja rajonale.

Irani për momentin është nën sanksione të ashpra ndërkombëtare dhe do të jetë shumë e vështirë për një bashkëpunim në fushën ekonomike, besohet se fokus i bashkëpunimit do të jetë siguria dhe diplomacia.
Shtetet e Bashkuara e përshëndetën këtë marrëveshje por me një dozë shqetësimi, pikërisht për shkak të rolit të Kinës, gjithashtu edhe BE dhe Kombet e Bashkuara e mirëpritën normalizimin e marrëdhënieve Iran- Arabi Saudite, duke shpresuar për një stabilitit politik të qëndrueshëm në këtë rajon të trazuar, por shumë të rëndësishëm për paqën globale.

Nga: Mehmet Kalisi PhD
Njohës i ngjarjeve në Lindjen e Mesme /shenja

Exit mobile version