Pas një pauze dyvjeçare të shkaktuar nga një skandal sigurie që tronditi industrinë japoneze të automjeteve në vitin 2023, Daihatsu është rikthyer me modelin e ri Move.
Gjenerata e shtatë e këtij “kei car” të njohur sjell ndryshime të rëndësishme në dizajn, teknologji dhe funksionalitet, duke shënuar një fillim të ri për këtë model të dashur që nga debutimi i tij në vitin 1995.

Modeli i ri ruan dimensionet kompakte të “kei car”, por vjen me një platformë të re (DNGA), ndarë me modelet Hijet dhe Atrai.
Risia më e dukshme janë dyert rrëshqitëse në pjesën e pasme, që shtojnë ndjeshëm praktikën dhe aksesin në hapësirën e brendshme – një veçori që ofrohet në të gjitha versionet, përveç modelit bazë L.
Estetikisht, Move ka marrë një pamje më moderne dhe më të rafinuar. Brendësia është e thjeshtë por funksionale, me mundësi për të palosur ulëset në mënyrë që të krijohet një hapësirë e sheshtë për pushime apo kampe të lehta.
Pajisjet teknologjike përfshijnë ekrane argëtimi me përmasa 7, 9 ose 10 inç dhe opsione si ngrohje e ulëseve, karikim wireless dhe sistemi i sigurisë Smart Assist.
Motori 658 cc ofrohet në dy variante: natyral me 52 kuaj fuqi dhe turbo me 64 kuaj fuqi, ndërsa të gjitha versionet përdorin transmision CVT dhe ofrohen në formate 2WD ose 4WD.
Modeli i ri Move ka dalë tashmë në shitje në Japoni me çmime që nisin nga ¥1,358,500 (rreth $9,500) dhe arrijnë deri në ¥2,044,000 (rreth $14,300) për versionin më të lartë me 4WD.
Daihatsu synon të shesë 6,000 njësi në muaj, të gjitha të prodhuara në prefekturën Oita në Japoni.