Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Danimarka dhe Grenlanda propozojnë mision të NATO-s në Arktik

Danimarka dhe Grenlanda propozojnë mision të NATO-s në Arktik

Ministri danez i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen tha se Danimarka, së bashku me Grenlandën, i propozuan Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte një mision të Aleancës në Arktik mes kërcënimeve të SHBA-së për të marrë territorin autonom danez, transmeton Anadolu.

Poulsen mbajti një konferencë të përbashkët për media me ministren e Jashtme të Grenlandës, Vivian Motzfeldt pasi u takuan me kreun e NATO-s dhe shefen e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas në Bruksel.

“Danimarka dhe Grenlanda i kanë propozuar Ruttes një mision të NATO-s në Arktik. Ne e kemi diskutuar atë dhe gjithashtu e kemi propozuar”, tha Poulsen.

Megjithatë, ai nuk tha se si iu përgjigj Rutte propozimit.

Poulsen riafirmoi se ata do të vazhdojnë dialogun me zyrtarët amerikanë, duke shtuar se nuk do të jetë Danimarka ajo që “do të heqë dorë nga këmbëngulja për dialog”.

“Nëse SHBA-ja do të tërhiqej nga NATO nesër, ne do të përballeshim me një sfidë të madhe në menaxhimin tonë vetë”, tha ai duke nënvizuar se disa nga deklaratat që vijnë nga Trumpi “vërtet lëndojnë”.

Motzfeldt përsëriti se “të gjitha dyert mbeten të hapura” përmes bashkëpunimit dhe zhvillimit “me fokus në mbrojtjen e ndërsjellë” midis aleatëve dhe se mbrojtja e tyre është “e ndërthurur me mbrojtjen e SHBA-së”.

“Për ne, banorët e Grenlandës, aspekti më i rëndësishëm i pjesëmarrjes sonë është të jemi në gjendje të flasim në emër të popullit të Grenlandës, duke kontribuar në gjetjen e zgjidhjeve të mira në interes të tyre. Ne e kemi kryer këtë punë në një mënyrë të mirë”, shtoi ajo.

Grenlanda, një territor vetëqeverisës brenda Mbretërisë së Danimarkës ka tërhequr interesin e SHBA-së për shkak të vendndodhjes së saj strategjike dhe burimeve të mëdha minerale si dhe shqetësimeve të supozuara në lidhje me rritjen e aktivitetit rus dhe kinez.

Trumpi ka thënë vazhdimisht se SHBA-ja duhet ta blejë Grenlandën për sigurinë kombëtare dhe për të parandaluar Rusinë ose Kinën të fitojnë kontrollin e territorit. Ai ka kërcënuar me tarifa aleatët që kundërshtojnë ofertën.

Si Danimarka ashtu edhe Grenlanda kanë hedhur poshtë çdo propozim për shitjen e territorit, duke riafirmuar sovranitetin danez mbi ishullin.

Exit mobile version