Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Danimarka, Holanda do të udhëheqin programin për përgatitjen e ukrainasve për avionët...

Danimarka, Holanda do të udhëheqin programin për përgatitjen e ukrainasve për avionët F-16

Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, i përbërë nga drejtuesit ushtarakë të rreth 50 vendeve, u takua të enjten për të diskutuar se çfarë i duhet Kievit për të përballuar sulmin e forcave ruse, si dhe planet për përgatitjen e ukrainasve për përdorimin e avionëve luftarakë F-16. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carla Babb, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin kryesoi takimin virtual nga Pentagoni.

Ndërsa sulmi i forcave ruse në Ukrainë hyn në muajin e 16-të, drejtuesit ushtarakë perëndimorë u zotuan për më shumë mbështetje për Ukrainën, duke premtuar furnizimin e mëtejshëm me municione për sistemet e mbrojtjes kundërajrore të Ukrainës, si dhe një plan për të stërvitur ukrainasit për përdorimin e avionëve F-16, një proces i kushtueshëm ky që do të udhëhiqet nga Danimarka dhe Holanda.

“Kjo kushton dhe jo çdo vend ka avionë F-16 apo mundësinë të kontribuojë me programe përgatitore, mirëmbajtje apo mbështetje, por mund të ofrojnë ndihma monetare”, tha Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.

Drejtuesi më i lartë ushtarak amerikan, Gjenerali Mark Milley, u përpoq të ulë pritshmëritë pas ngazëllimit që ngjalli lajmi për dhënien e avionëve F-16.

“Nuk ka armë magjike. F-16 nuk është magjik, dhe as ndonjë tjetër. Dhjetë avionë F-16 janë 1 miliard dollarë. Nëse shtojmë kostot e mirëmbajtjes, shtohet edhe 1 miliard tjetër. Pra, flitet për 2 miliardë dollarë për 10 avionë. Rusët kanë 1 mijë avionë luftarakë të gjeneratës së katërt dhe të pestë”, tha Gjenerali Milley.

Në total, Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës ka angazhuar rreth 65 miliardë dollarë për asistencën e sigurisë për Ukrainën që nga fillimi i luftës.

Dhe zyrtarët e bënë të qartë se duan që armët e reja të ndryshojnë dinamikën në fushëbetejë, por të mos përdoren për të sulmuar territorin e Rusisë.

“U kemi kërkuar ukrainasve të mos përdorin armët e dhëna nga Shtetet e Bashkuara për sulme të drejtpërdrejta në Rusi. Përse? Nuk e duam këtë – kjo është një luftë ukrainase. Nuk është luftë mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Nuk është luftë mes NATO-s dhe Rusisë”, tha Gjenerali Milley.

Zyrtarët rusë kanë thënë se dhënia e avionëve F-16 do të ngrinte çështjen e përfshirjes së NATO-s dhe rrezikun e një apokalipsi bërthamor.

Rusia gjithashtu thotë se për një sulm në territorin rus këtë javë u përdorën armë të furnizuara nga Shtetet e Bashkuara, një pretendim ky që po shqyrtohet nga Pentagoni.

Grupet paraushtarake ruse që kundërshtojnë Kremlinin morën përgjegjësinë dhe Ukraina ka mohuar të jetë përfshirë drejtpërdrejt në këto sulme. /voa

Exit mobile version