Besimtari, përmes besimit të tij ka depërtuar në sekretin e ekzistencës; ndaj ai e do Allahun, Dhuruesin e jetës, burimin e krijimit dhe të urdhrit, të ekzistencës dhe të furnizimit.
E do Allahun me dashurinë e njeriut për bukurinë, sepse në gjithësinë e Tij ka parë gjurmët e krijimtarisë dhe të përkryerjes: “Nuk sheh asnjë mospërputhje në krijimin e Mëshiruesit” [1]; “Kjo është vepra e Allahut, i Cili e ka përsosur çdo gjë”[2]; “Ai që e ka bërë të bukur çdo gjë që ka krijuar”[3]
E do Atë me dashurinë e njeriut për përsosmërinë; a ka në të vërtetë ndonjë përsosmëri tjetër përveç përsosmërisë së Tij? Çdo shfaqje e përsosmërisë relative që shohim nuk është veçse grimcë e marrë prej Tij dhe e varur prej Tij.
E do Atë edhe me dashurinë e njeriut për mirësinë, sepse shpirtrat janë të prirur natyrshëm ta duan atë që u bën mirë. E çfarë mirësie mund të krahasohet me mirësinë e Atij që e krijoi nga asgjëja, e bëri qenie njerëzore të plotë, e vuri zëvendës në tokë dhe ia nënshtroi atij tërë gjithësinë: “Ai është që krijoi për ju gjithçka që është në tokë”[4]; “A nuk e shihni se Allahu ua ka nënshtruar juve gjithçka që është në qiej dhe në tokë dhe ju ka dhuruar begatitë e Tij të dukshme dhe të padukshme?”[5]
E do Atë për të gjitha këto e edhe për më shumë se kaq: një dashuri që tejkalon dashurinë e njeriut për prindërit e tij, madje për fëmijën e tij, madje edhe për vetveten. Ai do gjithçka që vjen prej Tij dhe gjithçka që Ai e do: ai e do Librin që e zbriti për t’i nxjerrë njerëzit nga errësirat në dritë; ai e do Profetin që e dërgoi mëshirë për mbarë botët; ai e do çdo njeri prej njerëzve të mirësisë dhe të drejtësisë, të cilët Ai i do dhe ata e duan Atë.
Besimtari i lutet Allahut me të njëjtën lutje me të cilën lutej Muhamedi (a.s): “O Allah, më dhuro dashurinë Tënde, dashurinë e atyre që Të duan, dhe bëje dashurinë Tënde më të dashur për mua se uji i ftohtë.”
Autor: Jusuf Kardavi
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Sure Mulk: 3.
[2] – Sure Neml: 88.
[3] – Sure Sexhde: 7.
[4] – Sure Bekare: 29.
[5] – Sure Lukman: 20.
