Ballina Artikuj Dashuria për hir të All-llahut xh.sh.

Dashuria për hir të All-llahut xh.sh.

Rejhan Neziri

Vëllezër të nderuar!

Feja Islame është fe e dashurisë. Kusht për të qenë musliman është të besosh, kurse themeli i besimit është dashuria. Në ligjëratën e sotme do t’ju shkëpusim një tufë fjalësh të Pejgamberit a.s. që kanë të bëjnë me lidhjen midis imanit (besimit) dhe dashurisë dhe me dashurinë e njëri-tjetrit vetëm për hir të All-llahut xh.sh. Pejgamberi a.s. thotë:

“Kush i ka këto tri cilësi, ai e ka shijuar ëmbëlsinë e imanit: e para, ta dojë All-llahun xh.sh. dhe Muhammedin a.s. më tepër se edhe vetveten; e dyta, njeriun që e do, ta dojë vetëm për hir të All-llahut xh.sh.; dhe e treta, kthimin në kufër (mosbesim) pasi të ketë besuar një herë, ta konsiderojë punë të rëndë sikur të hidhet në zjarr”.

“Betohem në Zotin se nuk do të hyni në Xhennet pa mos besuar; nuk do të besoni plotësisht pa mos e dashur njëri-tjetrin. Doni t’ju tregoj diçka që nëse e bëni do ta doni njëri-tjetrin? – Shpërndajeni selamin (përshëndetjen) në mesin tuaj!”.

“Në dashurinë, dhimbjen dhe ruajtjen e njëri-tjetrit besimtarët janë sikur një trup. Në qoftë se sëmuret një gjymtyrë a organ i trupit, i gjithë trupi do të mbetet i pagjumë dhe do ta ndjejë këtë sëmundje”.

“Në qoftë se dikush e do dikë vetëm për hir të Zotit, le t’ia shprehë këtë dashuri”.

“Duaje dikë me maturi, sepse vjen dita kur ai të bëhet armik! Urreje dikë me maturi, sepse vjen dita kur ai të bëhet mik!”.

Në një hadith-i kudsijj All-llahu xh.sh. thotë: “E kam për borxh t’i dua njerëzit që e duan njëri-tjetrin për hir Timin, që tubohen diku për Mua, që e vizitojnë njëri-tjetrin për Mua dhe që e ndihmojnë njëri-tjetrin për Mua”.

“Ka një grup njerëzish që nuk janë as pejgamberë e as shehidë (dëshmorë), por që në Ditën e Gjykimit do të kenë pozitë të lartë tek All-llahu xh.sh. Për këtë arsye edhe pejgamberët po edhe dëshmorët do t’ua kenë lakminë”.

Të pranishmit e pyetën Pejgamberin a.s.: “Po kush janë këta, o i Dërguar i Zotit?”

Ai u përgjigj: “Këta janë njerëzit që e duan njëri-tjetrin edhe pse nuk kanë kurrfarë lidhje gjaku po as që i kanë dhuruar ndonjë pasuri njëri-tjetrit. Betohem në Zotin, se fytyrat e tyre janë plot nur (dritë). Ata ndodhen mbi një nur të madh. Kur gjithkush do të ketë frikë, ata nuk do ta ndjejnë këtë fare. Kur gjithkush do të dëshpërohet për punët e veta të liga, ata nuk do të dëshpërohen”. Pastaj lexoi ajetin kur’anor: “Nuk ka fare dyshim se për eulijatë (dashamirët) e All-llahut as frikë nuk do të ketë mbi ta, as nuk do të pikëllohen (dëshpërohen)”, (Junus:62).

Nga: Rejhan Neziri

/el-hikmeh

Exit mobile version