Ballina Artikuj Deklaratë e myftiut Naim ef. Tërnava me rastin e djegies së Kuranit...

Deklaratë e myftiut Naim ef. Tërnava me rastin e djegies së Kuranit të Shenjtë

Naim ef. Tërnava

Jam thellësisht i tmerruar dhe i tronditur nga akti vandal dhe kriminal i djegies dhe përdhosjes së Kuranit të Shenjtë, i kryer me porosi dhe mision të qartë kriminal nga persona ende të panjohur në Çabrat të Gjakovës.
Një veprim i tillë është plotësisht i papranueshëm, pasi cenon rëndë vlerat universale humane të qytetërimit botëror dhe, njëkohësisht, godet drejtpërdrejt parimet, traditën dhe identitetin e popullit tonë.
Populli shqiptar, ndër shekuj, është njohur dhe është identifikuar për harmoni, bashkëjetesë dhe mirëkuptim ndërfetar, si dhe për respektimin e besimit, kulturës dhe traditës së tjetrit, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje të ndjeshme që lidhen me fenë dhe besimin.
Fatkeqësisht, këto vlera dhe parime janë vënë në shënjestër kohëve të fundit nga lëvizje të errëta që, në emër të një “shqiptarie” të deformuar dhe të ashtuquajturit “kthim në rrënjë”, po promovojnë urrejtje, përçarje dhe dhunë.
Individë të caktuar dhe grupe të organizuara, duke manipuluar, shpifur dhe instrumentalizuar opinionin publik, po përhapin gjuhë urrejtjeje dhe po bëjnë thirrje të hapura për dhunë ndaj shqiptarëve të besimit mysliman, si dhe për zhdukjen e trashëgimisë dhe kulturës islame.
Kjo propagandë e rrezikshme, në raste edhe tronditëse, është përkrahur madje nga persona, që mbahen dhe paguhen si profesorë universitarë, duke marrë shembuj dhe modele të errëta të gjenocidit grek dhe serb ndaj shqiptarëve myslimanë.
Djegien dhe përdhosjen e Kuranit në Gjakovë e shohim si një akt konkret dhe alarmues, si pasojë direkte e këtyre ideologjive antishqiptare dhe antiislame, të cilat synojnë realizimin e projekteve dashakeqe sipas modeleve të huaja që historikisht kanë qenë armiqësore ndaj shqiptarëve të besimit islam.
Me këtë rast, kërkojmë nga organet kompetente shtetërore që të ndërmarrin menjëherë veprimet e nevojshme ligjore ndaj autorëve të këtij akti kriminal, por edhe ndaj ideatorëve, mentorëve dhe ideologëve të kësaj ideologjie të rrezikshme, të cilët veprojnë duke u fshehur pas parullave të rreme të “fjalës së lirë”, “të drejtës së besimit” dhe një shqiptarie të deformuar sipas interesave të tyre.
Ftoj institucionet shtetërore, edhe njëherë, që të marrin masa adekuate dhe konkrete për të ruajtur kohezionin shoqëror, vlerat autentike të popullit tonë, harmoninë ndërfetare dhe interesin e përgjithshëm të qytetarëve dhe të trojeve tona.
Prishtinë, 27 janar 2026
Myftiu i Kosovës
Naim ef. Tërnava

Exit mobile version