Një delegacion iranian i udhëhequr nga kryeparlamentari Mohammad Bagher Qalibaf ka mbërritur në Islamabad të Pakistanit për negociata me SHBA-në, transmeton Anadolu.
Agjencia iraniane e lajmeve Fars raportoi se delegacioni, i cili përfshin kryediplomatin Abbas Araghchi, sekretarin e Këshillit të Mbrojtjes, Ali Akbar Ahmadian dhe guvernatorin e Bankës Qendrore të Iranit, Abdolnasser Hemmati, përbëhet nga komitete të sigurisë, politikës, ushtarake, ekonomike dhe ligjore.
Sipas agjencisë, bisedimet pritet të fillojnë vetëm nëse Washingtoni pranon parakushtet e Teheranit.
Më herët, Qalibaf tha se një armëpushim në Liban dhe lirimi i aseteve të bllokuara të Iranit duhet të sigurohen para fillimit të negociatave me SHBA-në.
Pakistani, së bashku me Turqinë, Kinën, Arabinë Saudite dhe Egjiptin, të mërkurën arriti të sigurojë një armëpushim dyjavor mes Washingtonit dhe Teheranit, 40 ditë pasi SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme ndaj Iranit më 28 shkurt.
Si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit, të dyja palët ranë dakord të takohen në Islamabad për bisedime me qëllim arritjen e një paqeje të qëndrueshme.
