Ka dështuar të mbahet mbledhja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për shkak të mungesës së kuorumit. Në rend të ditës ishin gjashtë pika. Pika e parë dhe kryesore e kësaj mbledhje ishte zgjedhja e Kryesuesit të KGJK-së, raporton KosovaPress.
Në rend dite ishte po ashtu, shpallja e konkursit për Kryetar të Gjykatës Administrative dhe themelimi i komisionit vlerësues për kandidatët.
Zëvendës kryesuesja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Arjeta Sadiku njoftoi se mbledhja do të mbahet në një datë tjetër për të cilën do njoftohet publiku.
“Mbledhja e sotme nuk mund të mbahet për shkak të mungesës së kuorumit. Ahmet imami ka dërguar email se për shkaqe shëndetësore nuk mund të merr pjesë në mbledhjen e sotme. Mbledhja e radhës do të mbahet një datë tjetër që do të njoftoheni me kohë”, tha Sadiku.
Kandidat për Kryetar të KGJK-së janë Besnik Bislimaj dhe Rrustem Thaçi.
