Ballina Lajmet Dhjetëra të plagosur nga ndërhyrja kundër referendumit në Katalonjë

Dhjetëra të plagosur nga ndërhyrja kundër referendumit në Katalonjë

Gjatë ndërhyrjes së policisë dhe xhandarmërisë së Spanjës kundër referendumit të paligjshëm të pavarësisë në Katalonjë janë plagosur të paktën 38 persona, 3 prej të cilëve në gjendje të rëndë, raporton Anadolu Agency (AA).

Vazhdon ndërhyrja e policisë në Katalonjë, ku tensionet mes mbështetësve të pavarësisë dhe forcave të sigurisë të cilët janë duke mbledhur kutitë dhe fletëvotimet, kohë pas kohe shndërrohen në dhunë.

Në deklaratën e publikuar nga Qendra e Ndërhyrjes Emergjente të Katalonjës, thuhet se nga ndërhyrjet deri më tani janë plagosur të paktën 38 persona, 3 prej të cilëve në gjendje të rëndë. Prej këtyre 9 janë transferuar në qendrat e shëndetësisë.

Kryetari i Qeverisë Autonome të Katalonjës, Carles Puigdemont, arriti ta vizitojë qendrën e votimit në qarkun Saint Julia de Ramis të qytetit Gironi, pas ndërhyrjes së forcave të sigurisë.

“Shteti spanjoll, shfaqi një imazh i cili e tejkaloi kufirin e turpit që do të vazhdojë përgjithmonë. Katalonasve që erdhën në mënyrë paqësore të votojnë iu përgjigj me shkop polici, plumba plastike dhe dhunë”, tha Puigdemont, i cili ishte pritur me duartrokitje nga mbështetësit e pavarësisë.

Ai duke treguar se referendumi i pavarësisë vazhdon të ruaj vlefshmërinë dhe se vazhdon procesi i votimit, tha se “Shteti spanjoll sot humbi më shumë sesa kishte humbur deri më tani. Ndërsa Katalonja sot fitoi më shumë sesa kishte fituar”.

Ndërkohë, Jordi Turull, zëdhënësi i Qeverisë Autonome të Katalonjës, ka kërkuar dorëheqjen e Prefektit të Katalonjës së qeverisë spanjolle, Enric Millo.

Gjithashtu edhe prokuroria ka filluar procedurë penale për policinë lokale të Katalonjës (Mossos D’Esquadra) me arsye se ka mbetur pasive në ndërhyrjen për referendumin e paligjshëm pavarësisht udhëzimit të gjykatës.

Exit mobile version