Ballina Artikuj Dielli i profetësisë lind në tokën e gadishullit

Dielli i profetësisë lind në tokën e gadishullit

Pak përpara se të mbushte 40-të vjeç, Profetit (a.s) filloi t’i pëlqente vetmia. Ai shkonte tek shpella Hira që ndodhet në njërën prej maleve të Mekës, qëndronte atje gjatë muajit të Ramazanit duke medituar rreth madhështisë së krijimit të Allahut të Lartësuar.

Gjatë kësaj kohe ndodhën disa gjëra të çuditshme. Më parë xhindët dhe shejtanët kishin mundësi që të dëgjonin lajmet që vinin nga qielli, kurse tashmë nuk e kishin një mundësi të tillë, sepse yjet vrisnin dhe digjnin çdo shejtan apo xhind i cili afrohej për të dëgjuar lajmet e qiellit.

Profeti (a.s) i tregonte Hatixhes se shikonte një dritë dhe dëgjonte një zë. Ajo i tregoi për këtë, djalit të xhaxhait të saj, i cili i tha: Nëse është i sinqertë për këtë që thotë, atëherë kjo është shpallja, e cila i është shpallur më parë Muasit (a.s). Nëse ai dërgohet si profet e unë jam gjallë, kam për ta ndihmuar.

Gjatë kësaj periudhe, Profeti (a.s) shikonte ëndra të vërteta sikurse agimi në mëngjes.

Ai merrte me vete ushqim dhe pije e pastaj shkonte për në shpellë që të adhuronte Zotin. Më pas kthehej në shtëpi dhe përsëri merrte ushqim dhe shkonte në shpellë.

Ditët e muajit Ramazan sapo kishin hyrë dhe Profeti (a.s) ashtu siç e kishte bërë zakon shkoi në shpellën Hira që të adhuronte Allahun dhe të meditonte rreth madhështisë së krijimit të Allahut.

Duke qenë në këtë gjendje të besimit, papritur i shfaqet një krijesë (engjëll) që nuk kishte parë asnjëherë si ajo më parë. Ajo filloi të afrohej tek Profeti (a.s), e kapi, e shtrëngoi fort dhe i tha:

Lexo!

Nuk di të lexoj – u përgjigj Profeti (a.s), sepse nuk dinte as shkrim e as këndim.

Engjëlli e kapi për herë të dytë , e shtrëngoi fort dhe i tha:

Lexo!

Nuk di të lexoj – u përgjigj Profeti (a.s)

Për herë të tretë, engjëlli e kapi, e shtrëngoi aq shumë saqë Profeti (a.s) u lodh shumë dhe i tha:

“Lexo në emër të Zotit tënd i Cili krijoi. E krijoi njeriun nga gjaku i ngjizur. Lexo në emër të Zotit tënd Bujar. I Cili mësoi me laps. I mësoi njeriut atë që nuk e dinte.”[1]

Pastaj, engjëlli e la atë, dhe u shfaq në qiell për herë të dytë, pasi Profeti (a.s) ishte friksuar dhe ishte mbuluar tërë djersë.

Menjëherë, Profeti (a.s) u kthye tek Hatixhja dhe i tha: Më mbuloni! Më mbuloni!

Hatixhja e mbuloi dhe filloi ta qetësonte.

Ajo e pyeti Profetin (a.s) se çfarë kishte ndodhur. Ai e njoftoi për atë që kishte ndodhur dhe pastaj i tha:

Pata shumë frikë për veten.

Kurrë – tha ajo. Pasha Allahun, Ai kurrë nuk ka për të të turpëruar, sepse ti i mban lidhjet farefisnore, i jep të varfërit, e ndihmon nevojtarin, e nderon mikun dhe ndihmon njerëzit në fatkeqësi.

Pastaj, Hatixhja e mori Profetin (a.s) dhe shkuan tek Vereka, djali i xhaxhait të saj, i cili ishte bërë i krishterë. Ai e kishte shkruajtur Ungjillin në arabisht aq sa i kishte mundësuar Allahu të shkruante. Ai ishte i moshuar dhe i verbër. Hatixhja i tha:

O djali i xhaxhait. Dëgjo këto fjalë prej djalit të vëllaut tënd!

O Djali i vëllait tim! Çfarë ke për të thënë?

Profeti (a.s) e njoftoi atë për atë që i kishte ndodhur.

Vereka i tha: Ky është engjëlli që Allahu e ka dërguar tek Musai. Ah sikur të isha i ri e i fortë që të të përkrahja kur të të dëbojë populli yt.

A do të më dëbojë mua populli im – pyeti i habitur Profeti (a.s)?

Çdo burrë i cili është dërguar me atë të cilën ti je dërguar, populli i vet e ka kundërshtuar dhe e ka dëbuar. Nëse do të kisha forcë do të të kisha përkrahur fuqimisht.

Më pas, Profeti (a.s) u kthye në shtëpi i zhytur në mendime nga fjalët e Verekas. Tashmë ai e mësoi se ditët në vazhdim fshihnin ngjarje të mëdha, por ai ishte mëse i bindur se Allahu nuk do ta poshtëronte.

By: ardhmëriaonline.com

[1] Sure Alak: 1-5

Exit mobile version