Në teatrin e madh të gjeopolitikës globale, ku liderët botërorë mblidhen për të diskutuar fatet e sigurisë, raketat balistike dhe strategjitë e mbrojtjes, Shqipëria ka strategjinë e saj unike të sigurisë kombëtare: atletet e bardha të Edi Ramës.
Samiti i NATO-s në Ankara do të mbahet mend në analet e historisë sonë diplomatike jo për ndonjë traktat të rëndësishëm, por si skena ku “guruja” ynë i modës vendosi të thyente përsëri kodet e ngurta të protokollit me të njëjtën këmbëngulje foshnjore që një adoleshent përdor për t’u dukur “ndryshe” në mbrëmjen e maturës.
Shtatlartësia e tij, e kombinuar me një dëshirë pothuajse mistike për të qenë epiqendra e vëmendjes vizuale, e shtyn kryeministrin tonë të besojë se sfilata e stilit fillon pikërisht aty ku mbaron serioziteti i shtetarëve të tjerë.
Për Ramën, një samit i NATO-s nuk është thjesht një mbledhje liderësh por një mundësi e artë për t’u treguar krerëve të superfuqive se si mund të rebelohesh ndaj sistemit. Megjithatë, këtë herë në Ankara, performanca e tij “avangarde” rrëshkiti butësisht nga arti kontemporan drejt një komedie të pastër groteske.
Kamera, ky dëshmitar i pamëshirshëm, kapi saktësisht momentin kur presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, uli sytë poshtë. Por ai nuk ishte shikimi i një njeriu të mahnitur nga gjenialiteti estetik.
Përkundrazi ishte vështrimi i ngadaltë, i habitur dhe disi i lodhur i një mikpritësi që pyet veten nëse i ftuari i tij thjesht kishte harruar të ndërronte këpucët pas palestrës, apo po kalonte një krizë tjetër kreativiteti.
Kulmi i këtij dështimi spektakolar për t’u dukur “në modë” erdhi kur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, me një lëvizje thuajse tallëse, ia bëri me shenjë presidentit amerikan Donald Trump për t’i treguar fenomenin shqiptar të modës.
Ishte pikërisht ai momenti kur kllounada diplomatike u përplas me murin e ftohtë të realitetit. Trump, i mësuar me shfaqje të çdo lloji, aplikoi armën më të fuqishme gjeopolitike: injorimin total. Asnjë shikim, asnjë buzëqeshje kortezie, asnjë grimasë.
Guruja ynë, që priste ndonjë kompliment apo ndonjë rrahje shpatullash për guximin e tij stilistik, mbeti thjesht një siluetë e gjatë me këpucë sportive, plotësisht e shpërfillur në mes të sallës.
Kjo strategji mjerane e “diplomacisë së atleteve”, tregon qartë kufijtë e saj pikërisht atëherë kur fiken blicet e aparateve dhe mbetet vetëm realiteti i ftohtë. Në botën e sotme, parimi i vjetër i marketingut “çdo publicitet është publicitet i mirë” nuk vlen më, sidomos kur je në krye të një shteti.
Ekziston një vijë ndarëse shumë e qartë midis të qenit një personazh eksentrik që ngjall kureshtje, dhe të kthyerit në një figurë qesharake që nuk merret më seriozisht nga askush në tryezat ku merren vendimet e mëdha.
Por mbi të gjitha, kjo sfilatë groteske nëpër samite nuk mund të shërbejë si një vello për të mbuluar problemet e mëdha brenda shtëpisë. Ato atlete të bardha, sado të ndritshme të duken nën dritat e fotove zyrtare, nuk kanë asnjë fuqi për ta mbajtur kryeministrin larg andrallave dhe skandaleve të panumërta ku është futur deri në fyt qeverisja e tij.
Asnjë zgjedhje stilistike dhe asnjë përpjekje për të bërë “gurunë” ndërkombëtar nuk mund ta shpëtojnë Ramën nga llogaridhënia përpara një lëvizjeje të madhe popullore që po rritet dita-ditës.
Kur qytetarët mbushin rrugët me vendosmërinë për ta larguar nga drejtimi i vendit, del mënjeherë boja e propagandës vizuale. \tesheshi
