Angazhim më i madh për Ballkanin Perëndimor i është kërkuar administratës së presidentit Donald Trump në diskutimet që u mbajtën në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara. Për raportin Kosovë-Serbi është kërkuar që të ketë më shumë balancim e që të mos kërkohet përgjegjësi vetëm nga Kosova. Po ashtu, është bërë thirrje që Kosova të anëtarësohet në NATO dhe që Serbisë t’i shtohet presioni për të ndalur fushatën e çnjohjeve dhe pengesave, si dhe që të largohet nga orbita ruse.
Në këtë komitet u konsiderua se Rusia përmes Serbisë është faktori kyç për destabilizim të rajonit.
Kryetari republikan i Nënkomisionit për Evropën, Keith Self, ka vlerësuar se Ballkani Perëndimor, është “rajoni më i paqëndrueshëm në Evropë”, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Ai ka përmendur edhe marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se problemi mes dy vendeve është nxitësi kryesor i paqëndrueshmërisë rajonale.
Sipas tij, kundërshtarët e SHBA-së po i shfrytëzojnë aktivisht dobësitë për të zhvilluar luftë hibride që rrit paqëndrueshmërinë në rajon, teksa Kina po e përdor, siç ka thënë ai, ndikimin e saj duke kryer stërvitje ushtarake dhe duke dërguar armë në Serbi. Keith ka shtuar se Kina po nënshkruan marrëveshje ekonomike në të gjithë rajonin me synimin e ruajtjes së aparatit të saj “keqdashës” dhe shfrytëzimit të korrupsionit në Ballkanin Perëndimor. Duke e quajtur rajon “shpesh të neglizhuar”, Keith ka thënë se ende ka mundësi për përmirësim sa i përket stabilitetit, paqes dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor, dhe lidershipi amerikan duhet të ketë rol të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit dhe parandalimin e rikthimit të konflikteve.
Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në SHBA dhe ekspert i menaxhimit të konflikteve, ka thënë se ndonëse asnjë aktor i vetëm nuk është plotësisht përgjegjës për tensionet dhe dobësitë e vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor, “Serbia duhet të pranojë rendin perëndimor për rajonin”.
Ai ka thënë se ka ardhur koha që SHBA-ja të jetë më e vendosur në orientimin e Beogradit drejt një zgjedhjeje përfundimtare strategjike, duke shtuar se rruga euroatlantike është zgjedhja e vetme racionale për Serbinë, e cila, sipas tij, nuk duhet të bëhet Bjellorusia e Ballkanit.
Joseph ka akuzuar administratën amerikane për qëndrim të pabalancuar në raportin Kosovë-Serbi. Ai ka thënë se vetëm Kosova po mbahet përgjegjëse, teksa ka kujtuar sulmin terrorist në Banjskë. Joseph ka thënë se SHBA-ja duhet ta vazhdojë mbështetjen ekonomike e ushtarake për Kosovën. Por sipas tij, ndihma më e mirë do të ishte anëtarësimi i Kosovës në NATO. Ai ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të zgjidhte ngërçin.
“Vetëm rruga drejt NATO-s do t’i jepte fund ngërçit sepse Serbia s’do të kishte opsione të tjera. Fushata e çnjohjeve dhe varësia nga Rusia dhe Kina do të ishin të pavlefshme sepse anëtarësimi në NATO është shumë më i rëndësishëm se anëtarësimi në OKB”, ka thënë Joseph.
Pos Josephit, edhe Max Primorac, bashkëpunëtor në Qendrën “Margaret Thatcer për Liri”, për Evropë, Lindjen e Mesme, Afrikë e Amerikë Latine, ka thënë se Kosova duhet të mbështetet nga SHBA-ja. “Çfarëdo marrëveshje edhe me Serbinë duhet ta përfshijë njohjen”, ka thënë ai. Ai ka lavdëruar Kosovën për qasjen properëndimore teksa ka thënë se e ka lëvizur edhe ambasadën drejt Tel-Avivit siç i ka premtuar Trumpit.
Thirrje për largim të Serbisë nga orbita e Rusisë ka bërë edhe Luke Coffey nga Hudson Institute.
Të tre burokratët janë pyetur edhe nëse e shohin kryeministrin në detyrë Albin Kurti si pengues të raporteve. Të tre kanë thënë po.
Të tre kanë thënë se SHBA-ja duhet të bëjë presion që Serbia të ndalë pengesat për pranimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Ata po ashtu kanë thënë se Serbia po pasivizon padrejtësisht adresat e shqiptarëve në Luginë e se po shkel të drejtën e gjuhës shqipe në institucionet e Serbisë.
