Gjatë periudhës janar-dhjetor të vitit 2025, Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Prishtinë ka trajtuar 19 mijë e 941 raste, një rritje në krahasim me vitin 2024 ku ishin raportuar 19 mijë e 874 raste.
Në prezantimin e këtij departamenti, nga drejtori i DRP-së në Prishtinë, Bastri Shabani u theksua se veprat penale kanë qenë në ulje prej -5.90 për qind 10 mijë e 269 raste, ndërkohë në incidente në trafik ngritje prej 6.8 për qind.
Gjithsej aksidente 10 mijë e 338, persona të lënduar 5 mijë e 866, aksidente me lëndime 3 mijë e 235, aksidente me dëme materiale 7 mijë e 75. Me fatalitet 28 persona, të vdekur 29.
Arrestimet sipas autorizimeve policore gjatë vitit 2024 ishin 2 mijë e 718 arrestime, në 2025 3 mijë e 377 raste apo ngritje 24,3 për qind. Tiketat e shqiptuara në ngritje prej 8.70 për qind nga 212 mijë e 931 në 231 mijë e 478.
Drejtori i DRP-së, Bastri Shabani bëri të ditur edhe rastet e vrasjeve, dhunës në familje dhe vjedhjeve.
Gjashtë raste të vrasje e rëndë, dhuna në familje në ulje prej -1.9 për qind dhe vjedhje e rëndë -3.1 për qind.
“Disa nga veprat penale më serioze, vrasje-vrasje e rëndë nga 8 në 6, do të donim të mos kemi asnjë vrasje por ja që ka ndodhur, lëndim i rëndë trupor kemi një rritje nga 77 raste në 83, lëndim i lehtë trupor po ashtu një ngritje prej 6.5 për qind, veprat penale kundër pasurisë vjedhje në 5.3 për qind kemi ngritje, vjedhje e rëndë -3.1 për qind, grabitje -10.5 për qind, dhuna në familje -1.9 për qind, posedim dhe shitblerje e narkotikëve nga 613 në 775 raste apo ngritje në 23.5 për qind”, tha Shabani.
Shabani ka theksuar edhe sfidat që ishin për këtë departament gjatë vitit 2025.
“Si çdo vit edhe në vitin 2025 kemi pasur edhe sfida. Lëvizjet e shpeshta të personelit dhe mungesat e personelit policor të graduar, angazhimet shtesë në Mitrovicë Veri, angazhimet në numër të lartë të organizimeve vendore e ndërkombëtare në kryeqytet, angazhimi në pika statike dhe objekte me rëndësi të veçantë, mungesa e hapësirë së mjaftueshme për DRP Prishtinë dhe kryeqytet”, shtoi Shabani.
Ndërkohë, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha u shpreh se ka një rënie të rasteve serioze që kanë ndodhur gjatë vitit të kaluar në Prishtinë.
Sipas tij, problemi kryesorë janë rritjet e rasteve me fatalitet në trafik ku mbi 100 persona gjatë 2025 kanë humbur jetën. Që nga viti 2000 deri më sot, Hoxha tha se Kosova ka humbur mbi 3 mijë e 111 persona në trafik.
Hoxha theksoi se një nga prioritetet kryesore të Policisë së Kosovës do të jetë siguria në trafik, ku nevojitet mbështetje e komunave dhe ministrisë së infrastrukturës.
“Kemi një numër në rënie të rasteve serioze që kanë ndodhur gjatë vitit të kaluar në Prishtinë, sidomos te vrasjet, grabitjet, vjedhjet e rënda, po ashtu edhe prej një prej veprave penale shumë të ndjeshme që është dhuna në familje dhe që është prioritet nacional i Kosovës. Problemet që kanë shënuar rritje është rastet e rënda të fataliteteve që jo vetëm në Prishtinë por gjithandej Kosovës, kemi pasur rritje të rasteve me fatalitet në trafik mbi 100 persona të vdekur në trafik nga 89 që kemi pasur një vit më herët… Kosova që nga viti 2000 mijë deri më sot i ka humbur mbi 3 mijë e 111 njerëz në trafik. Është një numër i madh i jetëve të humbura në trafik dhe një prej prioriteteve ka me qenë siguria në trafik. Por që këtë punë policia nuk mund ta bëjë e vetme, na duhet mbështetja e komunave, e ministrisë së infrastrukturës dhe e gjithë shoqërisë sidomos te vetëdijesimi i njerëzve”, tha Hoxha.
Në fund pjesëtarë të policisë së Kosovës u nderuan edhe me mirënjohje nga drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
