Ballina Lajmet Djathtistët radikalë gjatë iftarit në qendër të Kopenhagës dogjën Kur’anin

Djathtistët radikalë gjatë iftarit në qendër të Kopenhagës dogjën Kur’anin

Të djathtët radikalë protestuan mbrëmë kundër organizimit të iftarit në kryeqytetin e Danimarkës, Kopenhagë, dhe me këtë rast dogjën Kur’anin duke brohoritur slogane islamofobe dhe ksenofobike, raporton Anadolu Agency (AA).

Në sheshin e qytetit në Kopenhagë edhe këtë vit u mbajt iftari tradicional ku u mblodhën një numër i madh besimtarësh. Në shesh u mblodh edhe një grup i radikalëve të krahut të djathtë të udhëhequr nga Rasmus Paludan, kreu i Partisë Stream Kurs.

Të djathtët dogjën Kur’anin në shesh dhe në ballkonin e një hoteli vendosën flamurin me mesazhin “Evropa është e jona”. Policia daneze hoqi pankartat dhe largoi grupin radikal nga sheshi.

Ndërkohë një grup danezësh në shenjë solidariteti me muslimanët e mbledhur për iftar, me jelekë të verdhë qëndruan pranë sheshit deri në fund të iftarit. Rreth 2.000 besimtarë u mblodhën në iftar ndërsa policia ndërmori masa të shtuara të sigurisë.

Në të njëjtën kohë, në xhaminë Fatih në Hedehusen, mbrëmë shpërtheu një zjarr. Xhamia ndodhet 35 kilometra nga qendra e Kopenhagës. Xhamia u ndërtua nga Diyaneti turk 6 vjet më parë.

Falë ndërhyrjes së shpejtë, zjarrfikësit arritën të parandalonin përhapjen e flakëve.

Ambasadori i Turqisë në Kopenhagë, Ugur Kenan Ipek, tha se nuk kishte viktima në zjarr dhe se janë shkaktuar dëme materiale. Kanë nisur hetimet rreth zjarrit, ndërkaq ambasadori Ipek tha se është e nevojshme të merren të gjitha masat parandaluese.

“Ne nuk presim që autoritetet të mbrojnë vetëm pjesëtarët e komunitetit turk, por të mbrojnë të gjithë muslimanët nga sulmet e mundshme. Ata na thanë se donin të bashkëpunonin me ne”, tha Ipek.

Një anëtar i Bordit të xhamisë Fatih, Turan Akbulat, tha se policisë i kanë dorëzuar të gjitha filmimet e kamerave të sigurisë dhe se hetimet për shkaqet e zjarrit janë në vijim.

Ai tha se xhamia ishte dëmtuar në masë më të madhe dhe për shkak të kësaj nuk është në gjendje të falet namazi i Bajramit.

Exit mobile version