Do të votoj sepse Veriun e Kosovës të përtej Urës së Ibrit, atë hapësirë shumë të çmuar e të pasur të Kosovës, të sunduar prej serbëve edhe pas luftës çlirimtare të UÇK-së, Vetëvendosja me Albin Kurtin Kryeministër ia ktheu sovranitetit të Kosovës dhe ….
Me 17 dhjetor 2024 prej KQZ-së më erdhi ky mesazh: “Përshëndetje nga KQZ. Qendra jote e votimit është caktuar. Shikoje dhe ndërroje tani nëse nuk të përshtatet…”
Ky mesazh më nxiti ta kujtoj herën e parë dhe të fundit kur e kam ushtruar të drejtën e votimit në Kosovë. Ishte viti 2000.
Kosova është bërë shtet i pavarur në sajë të luftës së drejtë, çlirimtare, të lavdishme dhe të Idealit shtetkrijues kombëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pa të cilën nuk do të mund të parashihej as prej intelektualit, politikanit a shtetarit më largpamës se edhe sa kohë, sa shekuj Kosova do të ishte e pushtuar prej Serbisë.
Votimet e 2025 do të jenë hera e dytë kur do ta ushtroj këtë të drejtë.
Pse Rexhep Qosja do të votojë në këto zgjedhje në moshën tetëdhjetë e nëntë vjeçare?
Do të votoj sepse votimi, sidomos në zgjedhjet e përgjithshme, shtetërore, është obligim shoqëror, kulturor, etik e kombëtar.
Do të votoj sepse më kanë nxitur para së gjithash dy të dhëna: e para, ligji që ka miratuar Qeveria me Kryeministër Albin Kurtin për sekuestrimin e pronës, pasurisë së paligjshme, korruptueshëm të fituar, dhe e dyta fushata zgjedhore e opozitës. Është kjo një fushatë zgjedhore e pandodhur, e padëgjuar ndonjëherë në Kosovë.
Do të votoj sepse është kjo një fushatë që e shënojnë sasiorisht dhe kuptimisht urrejtje, gënjeshtra, shpifje, e kjo domethënë mungesa elementare e përgjegjësisë etike për veprimin dhe mendimin e pjesëmarrësve në fushatë!
Do të votoj sepse është kjo fushatë e partive që para katër vitesh e bënë të mundshme fitoren e Vetëvendosjes me përqindje që karakterizon Referendumet e jo zgjedhjet politike partiake.
Do të votoj sepse është kjo fushatë e subjekteve politike në kohën e pushtetit të të cilëve në Kosovë mbisunduan të këqija shoqërore, politike, pushtetore të papritura.
Do të votoj sepse ajo ishte koha kur korrupsioni dhe nepotizmi u bënë sëmundje e pashërueshme e njëmendësisë shtetërore; kur të vërtetat u pushtuan prej gënjeshtrave të ndryshme; kur drejtësia u pushtua prej padrejtësisë; kur siguria u kërcënua prej krimeve të ndryshme; kur dinjiteti u cenua prej servilizmit si mjet që servilëve u siguron privilegje të ndryshme; kur paqja u cenua prej dhunës; kur shpresa u cënua prej dëshpërimit.
Do të votoj sepse në kushtet e këtilla u rrezikuan të drejtat e njeriut, barazia e dinjiteteve, shpresat dhe meritat e të papushtetshmëve.
