Ballina Autorë Dora që tund djepin do të rrisë besimtarët e së ardhmes

Dora që tund djepin do të rrisë besimtarët e së ardhmes

Nga Marsela Tarelli

Islami u ka kushtuar rëndësi të madhe fëmijëve, sepse ata janë guri i parë i themelit të shoqërisë. Kjo fillon qysh para krijimit të fëmijës me zgjedhjen e një bashkëshorteje të mirë dhe të devotshme, më pas vijon me lutjen për mbrojtjen nga shejtani i mallkuar, që ai të mos ketë pjesë te fëmija. Kur fëmija vjen në jetë, tradita e Profetit tonë a.s. na mëson që t’i thirret ezani me zë të butë në vesh, në mënyrë që djalli të largohet prej tij dhe le të jenë fjalët e shehadetit fjalët e para që ai do të dëgjojë në këtë botë. Më tej, në ditën e 7-të vënia e një emri të mirë, qethja e flokëve dhe bërja kurban; ku secila ka urtësinë dhe dobinë e vet.

Më pas ky kujdes i Allahut të Madhëruar shfaqet në afatin kohor të gjidhënies, që zgjat dy vite të plota. Kërkimet e fundit shkencore kanë vërtetuar se afati i gjidhënies për dy vjet, i përshkruar në Kur’an, është domosdoshmëri për rritjen e fëmijës në formën më të mirë. Ajo është mburojë fizike dhe psikologjike. Në fazën e gjidhënies hidhen themelet e karakterit. Nëse këto themele janë të qëndrueshme, në të ardhmen do të rriten breza të fortë, të shëndetshëm fizikisht dhe psikikisht. Në të kundërt, do të kemi të bëjmë me njerëz të dobët, të pavendosur, të pasigurt dhe të lëkundur përballë stuhive të sprovave. Një eksperiment çnjerëzor i kryer nga Frederiku i Dytë (1194-1250), tregon rrjedhojat fatale të mungesës së dashurisë dhe ngrohtësisë së nënës. Ai mori një numër fëmijësh dhe ua dorëzoi disa kujdestarëve, duke i urdhëruar që t’i ushqenin mirë, por të mos i flisnin absolutisht asnjë fjalë dhe të mos u jepej as dashuri e as ngrohtësi. Fundi i eksperimentit solli vdekjen e të gjithë fëmijëve.

Dashuria, butësia, dhembshuria dhe kujdesi i nënës janë të pazëvendësueshëm. Nëna është ajo që luan rolin kryesor në përkujdesjen ndaj fëmijës, sepse është krijesa më e afërt për të. Ajo është krijesa që më së shumti ndjen mëshirë, keqardhje dhe bën më shumë durim në edukimin e tij.

Rëndësia që u kushtohet fëmijëve në Islam shfaqet edhe në lutjet për ta. Duatë e Ibrahimit janë nga më të bukurat: “Zoti im, bëji të mirë pasardhësit e mi!” (Ahkaf, 15)

“Zoti ynë, na bëj ne të dy (Ibrahimin dhe Ismailin) dhe pasardhësit tanë prej besimtarëve të Tu të sinqertë!” (Bekare, 128)

Sipas Islamit, çdo njeri është një qenie e rëndësishme me një mision tepër madhor, udhëheqjen në tokë. Ai është operatori, manovruesi dhe drejtuesi kryesor i kësaj toke. Ai është më i miri dhe më i zgjedhuri ndër krijesat e botës.

Po ashtu Suneti i Dërguarit a.s., i kushton rëndësi të madhe edukimit të fëmijëve. Le të hedhim një vështrim të shkurtër në të.

Një hadith që e shfaq më së miri rëndësinë e edukimit të fëmijëve është:

“Edukimi i fëmijës fillon 20 vjet para lindjes së tij”. Ky hadith është vërtetuar edhe nga pedagogjia moderne. Duke pasur parasysh këtë thënie, le të shohim përgatitjen tonë dhe le të marrim mësim nga më i miri i njerëzve, Profeti ynë a.s. Transmetohet nga Abdullah Ibn Amir se ka thënë: “Kur isha i vogël na erdhi Profeti a.s. në shtëpi. Dola për të luajtur dhe nëna më tha: “O Abdullah, eja të të jap diçka. Profeti a.s. iu drejtua asaj: “Çfarë deshe t’i japësh? Nëna ia ktheu: “Një hurmë.” Atëherë ai i tha: “Nëse nuk do t’ia jepje hurmën, do të të regjistrohej si gënjeshtër.”

Ndërsa nga Abdullah ibni Mes’udi përcillet se Profeti a.s. ka thënë: “Nuk duhet që njeriu t’i premtojë fëmijës e pastaj ta shkelë premtimin”. Me këto fjalë, ai ka vënë bazën e edukimit që është sinqeriteti dhe vërtetësia në çdo gjë.

Fëmijët kanë nevojë për modele dhe prindërit janë modeli i tyre i parë. Me qëllim që të jenë vetë shembuj të mirë, ata kanë nevojë që të kenë parasysh gjithmonë modelin e tyre që ta ndjekin. Për prindërit myslimanë, Profeti Muhamed është modeli ideal që duhet të ndiqet. Edukimi më i mirë mund të arrihet vetëm nga një prind, personaliteti i të cilit, nga forca e moralit, të shkaktojë admirim te fëmija.

Njeriu është mëkëmbësi i Allahut në tokë dhe për edukimin e tij duhet të plotësojmë dy kushte të rëndësishme:

– Aktivizimin e dhuntive natyrore pozitive me të cilat fëmija është i pajisur që nga lindja.

– Largimin e prirjeve të devijuara si dhe dhuntive shkatërruese të cilat nuk i korrespondojnë moralit të bukur islam.

Profeti Muhamed a.s. ka thënë: “Çdo njeri lind në gjendje natyrore të pastër islame. Prindërit e tij më vonë e bëjnë idhujtar apo të ndonjë besimi tjetër.”

Allahu i Madhëruar thotë në Kur’an:

“Përqendro veten tënde sinqerisht në fe i larguar prej çdo kotësie, feja e Allahut sipas të cilës i krijoi njerëzit. Ajo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” (Rrum, 30)

Me ajetin dhe hadithin më lart, kuptojmë se fëmija lind i mirë dhe i pastër nga natyra. Detyrë e prindërve është ta ruajnë këtë karakter dallues me të cilin Allahu i ka krijuar fëmijët.

Pika e tretë dhe më e rëndësishmja është mëshira. Le t’i kthehemi shembullit të Profetit tonë, i cili porosit: “Kush nuk është i butë dhe i mëshirshëm me të vegjlit dhe nuk mëshiron më të vjetrit nuk është prej nesh.” Nga Ebu Hurejra transmetohet se Profeti e puthi nipin e tij Hasanin, ndërsa Ekra bin Habis et-Temimi ishte ulur pranë tij. Ai i tha: “Unë kam 10 fëmijë dhe asnjëherë nuk kam puthur ndonjë prej tyre. I Dërguari i Allahut e vështroi dhe i tha: “Kush nuk është i mëshirshëm me të tjerët nuk do të tregohet mëshirë për të.”

Një tjetër aspekt është butësia. Profeti a.s. ka thënë: “Allahu është i butë dhe e do butësinë. Shpërblimin që Ai jep për butësinë nuk e jep për ashpërsinë. Atë shpërblim Ai nuk e jep për asgjë tjetër.”

Fëmijët janë amanet nga Allahu për të cilët do të pyetemi. Profeti Muhamed a.s. thotë: “Çdo bari është përgjegjës për tufën e tij. Gruaja është përgjegjëse për fëmijët dhe shtëpinë.”

Dhe një nga detyrat ndërmjet shumë detyrave të tjera që i takojnë nënës, është t’u mësojë fëmijëve të saj besimin islam. Që në fëmijërinë e hershme fillohet duke e njohur fëmijën me emrin e Allahut. Më pas, atij i paraqiten argumentet e krijimit të Allahut në natyrë, duke i thënë se gjithçka është e krijuar prej Tij. Fëmijët e vegjël duhet të njihen me emrat dhe cilësitë e Allahut. Kjo do t’u japë atyre siguri dhe mbrojtje. T’ua vëmë në dukje sjelljen e mirë dhe të mos theksojmë vetëm sjelljen e keqe. Një nga aspektet më të rëndësishme është shfaqja e idesë se Allahu është i kënaqur me veprimet e tyre. Kështu, ata do të mësohen të lidhin sjelljen e mirë me kryerjen e diçkaje për hir të Allahut.

Theksimi i negatives dhe i ndëshkimit, e bën fëmijën të shmangë çdo gjë që ka lidhje me fenë. Çdo aspekt i jetës së përditshme mund të shoqërohet me komente të shkurtra që vënë në dukje ngjyrimin islam.

Me rritjen e fëmijës, prindërit duhet t’i përgjigjen pyetjeve të tij që lidhen me besimin pa harruar t’i sugjerohet atij shikimi dhe të menduarit mbi krijimin e gjithësisë.

Profeti a.s. thotë: “Në moshën 7 vjeç mësojini namazin…” Këshilla mjaft të çmuara për ne janë këshillat e Llukmanit a.s. drejtuar djalit të tij: “Biri im, mos i përshkruaj shok Allahut se idhujtaria është padrejtësia më e madhe.”

Kur fëmijët arrijnë adoleshencën fillojnë të pyesin për atë që u është mësuar. Nëse ju tashmë keni krijuar një marrëdhënie të mirë me ta, fëmijët do t’ju drejtohen për pyetjet dhe shqetësimet e tyre. Në këtë kohë, prindërve u takon t’i mbështesin, të diskutojnë me ta dhe të jenë të hapur. Pasi të kenë dalë nga periudha shqetësuese dhe plot pikëpyetje e adoleshencës, ata do të jenë me lejen e Zotit, të rinj që kanë përqafuar Islamin aktivisht.

Së fundmi, detyra e nënës është ndërtimi i vetëvlerësimit te fëmija, në mënyrë që ai të ndjejë se është dhuratë e veçantë prej Allahut. Dihet se rruga e vështirë e edukimit të fëmijëve iu hap përpara horizontin e gjerë dhe të bukur të dijes. Kapuni për dore me fëmijën sepse edhe ju tashmë jeni në një proces nxënieje të vazhdueshme dhe ç’është më e rëndësishme, kërkojeni ndihmën dhe udhëzimin e Allahut, sepse dora që tund djepin, do të rrisë besimtarët e së ardhmes.

Marsela Tarelli

/Revista ‘Drita Islame’ – janar 2017/

Exit mobile version