Ballina Lajmet Kosovë Dorëzohet programi IPA 2016 për Kosovën në vlerë prej 45.5 milionë euro

Dorëzohet programi IPA 2016 për Kosovën në vlerë prej 45.5 milionë euro

Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësi dhe Negociata të Zgjerimit të Komisionit Evropian, Genoveva Ruiz Calavera sot ia dorëzoi ministres së Integrimit Evropian Mimoza Ahmetaj marrëveshjen e pakos së Programit të Asistencës së Para-anëtarësimit (IPA) për vitin 2016, e cila përfshin shumën prej prej 45.5 milionë eurosh, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media ministrja e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj tha se Bashkimi Evropian në vazhdimësi ka ndihmuar Kosovën, duke filluar nga viti 2007 deri më 2013, me shumën prej mbi 600 milionë eurove, si pjesë e IPA-s. Ajo bëri të ditur se asistenca financiare e IPA-s për periudhën 2014-2020 arrin vlerën në 645 milionë euro. Kurse sipas saj, asistenca financiare prej 45.5 milionë eurove të IPA për vitin 2016 e konfirmon edhe më tutje përkushtimin e BE-së për ta përkrahur procesin e integrimit evropian të Kosovës.

“Sot pranova edhe marrëveshjen financiare për Programin IPA 2016 e cila në pako do të përfshijë një shumë prej 45.5 milionë euro në formë të projekteve nga ana e BE-së, të cilat do të ndihmojnë në realizimin e objektivave të parapara në kuadër të MSA-së, në fushat siç janë konkurueshmëria dhe përkrahja e bizneseve, arsimi dhe punësimi si dhe të drejtat e njeriut. Po ashtu do të përkrahen edhe implementimi i marrëveshjeve nga dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë”, tha Ahmetaj.

Ministrja po ashtu bëri të ditur se së shpejti do të finalizohet pjesa e dytë e marrëveshjes IPA 2016, ku parashihet përkrahja e drejtpërdrejt buxhetore për reformën e administratës publike, me shumë prej 25 milionë euro, dhe të programit IPA 2017, ku pritet përkrahja buxhetore sektoriale për menaxhimin e financave publike në shumë prej 30 milionë eurosh. Sipas saj, nga IPA 2018-2020 nga BE pritet të përfitohen 250 milionë euro.

Kurse drejtoresha Calavera theksoi përkrahjen e pakusht të Komisionit Evropian në rrugën e Kosovës drejt familjes evropiane. Ajo bëri të ditur se së shpejti, Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian (BE), Johanes Hahn do të vijë përsëri në Kosovë për ta parë zhvillimin në aspektin e implementimit të axhendës evropiane në Kosovë.

“Ne shikojmë në rritjen e mundësive të punësimit, të sigurohemi që të rinjtë të kenë kapacitet të krijojnë shtim dhe prosperitet, jemi për modernizimin e administratës publike, në shërbime më të mira për qytetarët, në mënyrë që të krijohet konkurueshmëria që ne po synojmë bashkërisht”, tha Calavera.

Ndryshe, Instrumenti i Asistencës së Para- anëtarësimit (IPA) është mjeti me të cilin BE-ja mbështet reformat në ‘vendet e zgjerimit’ me anë të ndihmës financiare dhe teknike. Ky instrument synon reforma në kuadrin e sektorëve të paracaktuar te cilët mbulojnë fusha te lidhura ngushtë me strategjinë e zgjerimit, të tilla si demokracia dhe qeverisja, sundimi i ligjit apo zhvillimi dhe konkurrenca.

Drejtoresha Calavera sot është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.

Exit mobile version