Ballina Lajmet Kosovë Dosja e Shefave XII: Telefonatat që dëshmojnë kontrollin e Grabovcit dhe Beqajt...

Dosja e Shefave XII: Telefonatat që dëshmojnë kontrollin e Grabovcit dhe Beqajt mbi ndërmarrjet milionëshe

Adem Grabovci e Besim Beqaj kishin marrë kompetenca të plota nga Hashim Thaçi, që në krye të tri ndërmarrjeve publike, PTK, Infrakos dhe Traikos të vendoseshin njerëzit që përfaqësonin interesat e tyre. Një seri përgjimesh telefonike të Grabovcit dhe Beqajt dëshmojnë këto plane që ishin finalizuar me emërime.

Hashim Thaçi u kishte dhënë autorizime të plota Besim Beqajt e Adem Grabocit që të menaxhonin qysh të donin pozitat në Trainkos, Infrakos dhe Postë Telekomin e Kosovës.

Bazuar në këto autorizime, tashmë ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci dhe ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj kishin prishur konkurset në këto institucione për Borde dhe për kryeshefë ekzekutivë.

Dy krerët e lartë të PDK-së, kishin qëllim që të sillnin njerëzit e tyre. Agron Thaçin, që vazhdon ta mbajë pozitën e kryeshefit të Infrakosit, e kishin përzgjedhur për këtë pozitë si njëri të besueshëm që do të punonte për interesat e tyre.

Ndërkohë, Sejdi Hoxhën, nipin e Azem Sylës do ta sistemonin në krye të Postës së Kosovës.

Beqajt i duhej mendimi i ish-kryeministrit Hashim Thaçi, se kë do ta emëronte për ushtrues detyre të PTK-së. Ai, së bashku me Thaçin e Grabovcin do t’ia diktonin Bordit të PTK-së, që vazhdon të drejtohet nga Rexhë Gjonbalaj, emërimin e Nuredin Krasniqit për ushtrues detyre. Krasniqi është mik i afërt i Xhavit Halitit.

Në serinë e dymbdhjëdhjetë të përgjimeve telefonike “Dosja e Shefave”, Insajderi sjell bisedat e përgjuara të Adem Grabovcit me Besim Beqajn.

Ato, dëshmojnë për kontrollin e plotë që pushteti i PDK-së kishte mbi ndërmarrjet publike, e bordet e tyre. Beqaj, ndonëse tregohet i kujdesshëm kur flet, megjithatë zbulohet duke bërë plane për vendosje të njerëzve që përfaqësonin interesin e tyre në këto ndërmarrje multimilionëshe.

Beqaj, aktualisht është deputet i Partisë Demokratike të Kosovës.

“U takova pramë me atë jaranin tem, nejtum…”, i tregon Grabovci, Beqajt në një bisedë telefonike. Fjalën e ka për Ferat Shalën, një drejtues i lartë i Shërbimit Informativ të Kosovës, që për një kohë ishte drejtor i Trepçës. Shala, është zëvendësministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

“E lam qashtu, mos ka 12 ora mos po vjen ai… Ta boj ni telefon e dalum n’drekë bashkë”, i thotë Grabovci, Beqajt. Beqaj merr përsipër rezervimin e tavolinës për drekë.

Gjatë bisedës, Beqaj e porosit Grabovcin që të flas me kryeministrin për ushtrues detyre të PTK-së. Grabovci, i thotë që këtë do ta bisedojnë në drekë.

Exit mobile version