Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Dosja Epstein: Prokuroria në Maqedoninë e Veriut nis hetim për rastin e...

Dosja Epstein: Prokuroria në Maqedoninë e Veriut nis hetim për rastin e mostrave të trurit

Prokuroria e Maqedonisë së Veriut, bazuar në raportime të publikuara në media, ka hapur një rast hetimi mbi pretendimet nga dokumentet e publikuara në rastin e Jeffrey Epsteinit, se mostra të trurit të personave të ndjerë nga vendi mund të jenë transportuar në SHBA për qëllime shkencore, transmeton Anadolu.

Siç njofton prokuroria, hetimi fokusohet në përpunimin, ngrirjen dhe transportin ndërkombëtar të indeve njerëzore, si dhe në respektimin e standardeve ligjore dhe etike për përdorimin e tyre.

Çështja i është dorëzuar Prokurorisë Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e cila do të marrë informacion zyrtar nga institucionet shëndetësore dhe organet kompetente për të përcaktuar nëse ka pasur veprime të paligjshme ose keqpërdorime.

Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë e vendit ka thënë më herët në një deklaratë se nuk ka kompetenca direkte mbi zbatimin e veprimtarisë shkencore-kërkimore, e cila rregullohet me ligje dhe udhëzime të rrepta për materialet biologjike me karakteristika gjenetike.

Ndryshe, pas publikimit të miliona faqesh dokumente nga dosja lidhur me Jeffrey Epstein, financierin e ndjerë amerikan të dënuar për abuzime seksuale, në Maqedoninë e Veriut u raportua për transferim mostrash truri të personave të vdekur nga vendi drejt SHBA-së për kërkime shkencore.

Në një nga mesazhet që u bënë publike nga dosja, Epstein informohet për një kërkim shkencor, në kuadër të së cilit, siç thuhet në mesazh, është përdorur edhe tru njerëzor nga Maqedonia e Veriut.

Siç është raportuar, bëhet fjalë për një projekt që është zbatuar midis viteve 1990 dhe 2000.

– Rasti Jeffrey Epstein

Epstein, i gjykuar për abuzim seksual me dhjetëra vajza nën moshën 18-vjeç, më e vogla 14-vjeç, dhe për krijimin e një rrjeti prostitucioni, u gjet i vdekur më 10 gusht 2019 në qelinë e tij në Burgun Qendror Metropolitan të Manhattanit në New York, ku ishte i burgosur.

Dosjet e publikuara nga gjykimi përfshinin emra të njohur si princi Andrew, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ish-presidenti Bill Clinton, ish-kryeministri i Izraelit, Ehud Barak, ish-nënpresidenti i SHBA-së, Al Gore, aktori Kevin Spacey, këngëtari Michael Jackson, iluzionisti David Copperfield, avokati Alan Dershowitz dhe ish-governatori i New Mexicos, Bill Richardson.

Byroja Federale e Hetimit (FBI) e SHBA-së, pas një hetimi me Departamentin e Drejtësisë, njoftoi se nuk kishte gjetur asnjë provë për ekzistencën e një “liste klientësh” që përfshinte këto emra të njohur. Sipas tyre, Epstein, për të cilin është pretenduar se mund të jetë vrarë për të fshehur krimet e njerëzve të njohur, në fakt kishte kryer vetëvrasje në qelinë e tij.

Exit mobile version