Jetojmë në një epokë, kur si asnjëherë më parë, njerëzit kanë dëshirë të duken ata që nuk janë. Për t’u dukur më të bukur nga jashtë, në botën reale, përdorin makijazhin, e për ta bërë të qëndrueshëm këtë ndryshim, përdorin botoksin, silikonin dhe operacionet plastike. Ndërsa në botën virtuale përdorin photoshop-in dhe çdo program tjetër që përpunon fotot, duke e nxjerrë veten në një perfeksion vizual që nuk e kanë.
Me daljen në skenë të Inteligjencës Artificiale dhe chat-eve të ndryshme të saj, njerëzit po shfaqen ata që nuk janë edhe në botën e intelektit e të mendimit, duke shkruar dhe komentuar me tekste që ia kërkojnë IA-së t’i përgatisë për ta. Kështu që me siguri, kur të tejkalohet edhe vështirësia e komunikimit mes pajisjeve elektronike digjitale dhe neuroneve njerëzore, IA mund të instalohet në trurin e çdo njeriu të mundshëm.
Falsiteti i pamjes së jashtme, bashkë me falsitetin e mendimit të brendshëm, do të prodhojnë për herë të parë në historinë njerëzore njeriun plotësisht fals. Dhe ashtu si mallrat false që pushtojnë tregjet dhe ulin çmimin, ashtu edhe njerëzit do të zhvlerësohen nga falsiteti në rritje. Qenia njerëzore nuk do të ketë më vlerë për atë që është, por për kapacitetin e falsitetit që do të mbartë.
Projeksionet e mundshme të pasojave që ky realitet do të sjellë janë të shumta dhe është e vështirë të përshkruhen dhe thuhen të gjitha. Mjafton të vini në punë fantazinë e trurit biologjik, që ju ka dhuruar Zoti, për të imagjinuar degëzimet e panumërta të pasojave, që e ardhmja e falsitetit do të sjellë.
—-
(B) Shkrim bio, pa ndihmën dhe hartimin e IA-së. 😉
Hoxhë Justinian Topulli
