Ballina Artikuj Duhet të ndryshojmë prioritetet

Duhet të ndryshojmë prioritetet

Dr. Mehmet Görmez

Abdullah ibën Mubareku, nga qyteti Merv i Turkmenistanit të sotëm, niset për haxh me një karvan të madh. Pasi kalojnë shumë vende e qytete, ndalen në Kufe për të pushuar. Gjatë kësaj kohe, ata kishin pasur disa kafshë për ushqim e njëra prej tyre ngordh.
Abdullah ibën Mubareku urdhëron që ta hedhin trupin e kafshës në një plehishtë. Mirëpo, ai vëren një vajzë të vogël që vjen shpejt nga një shtëpi afër, e merr kafshën e ngordhur dhe nxiton drejt shtëpisë së saj. I habitur nga kjo skenë, ai shkon te dera e saj dhe i thotë: “Kafsha që more pak më parë është e ndaluar, është haram, sepse është e ngordhur.”
Vajza, me lot në sy, përgjigjet: “Për ju është haram, por për ne është e lejuar. Sepse babai ynë ka vdekur, jemi dy fëmijë dhe prej ditësh nuk kemi ngrënë asgjë. Jemi të uritur, prandaj për ju është haram, ndërsa për ne është e lejuar.”
Pasi dëgjon këtë, Abdullah ibën Mubareku urdhëron që karvani i haxhit të kthehet. E pyet ndihmësin e tij: “Sa para kemi?” “Një mijë dinarë,” i thotë. “Merr 20 dinarë që të kthehemi në Merv dhe gjithë paratë e tjera dorëzoji në këtë shtëpi. Këtë vit po kthehemi pa bërë haxhin.”
Më pas shton: “Kjo është më e vlefshme se haxhi që do të bënim këtë vit.”
Kjo histori na tregon se në qytetërimin islam ekziston një fikh i prioriteteve. Një besimtar që humb prioritetet, rrezikon të humbë edhe thelbin e fetarisë së tij. Ai që humbet hierarkinë e vlerave, mbetet i pavlerë. Një besimtar që qëndron me përulësi në namaz, por sheh një fëmijë duke ecur drejt zjarrit apo humnerës, e ka për detyrë ta ndërpresë namazin për ta shpëtuar atë fëmijë.
Sa e trishtë është ajo që po shohim sot?
Jo vetëm politika apo bizneset, por as njerëzit e fesë nuk ndryshuan prioritetet e tyre.
Prandaj, le të kujtojmë paralajmërimin e Allahut të Madhëruar: “Dhe mos anoni nga ata që bëjnë të këqija, përndryshe do t’ju kapë Zjarri. Ju nuk do të keni mbrojtës tjetër përveç Allahut dhe nuk do të ndihmoheni.“ (Hud, 113)

Prof. Dr. Mehmet Görmez

Exit mobile version