Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Dy javë luftë e kanë gjunjëzuar Trumpin…

Dy javë luftë e kanë gjunjëzuar Trumpin…

AP: Presidenti, braktisur nga aleatët evropianë, përballet dhe me revoltë në partinë e tij

Presidenti amerikan lëshoi të shtunën një thirrje urgjente e të dëshpëruar drejtuar aleatëve ndërkombëtarë për formimin e një koalicioni ushtarak që do të garantonte sigurinë në Ngushticën e Hormuzit.

Përmes rrjetit social “Truth”, ai ftoi fuqi si Britania, Franca, Japonia dhe Kina që të dërgojnë anije luftarake për të mbrojtur lëvizjen e lirë të naftës, ndërsa premtoi se SHBA do të merrte përsipër goditjen direkte të kapaciteteve iraniane.

Sipas Associated Press, ky mesazh reflektonte një ndryshim të papritur të strategjisë, ku presidenti, i cili dikur premtonte tërheqje nga konfliktet e huaja, tani kërkon përfshirje globale në një zonë tejet të nxehtë.

Por pavarësisht ftesës, reagimi i Evropës ishte i ftohtë dhe pothuajse përçmues, duke e lënë Uashingtonin në një izolim diplomatik të paprecedentë. Franca i mbylli derën planit në mënyrë kategorike, duke deklaruar se misioni i saj mbetet rreptësisht mbrojtës dhe duke bërë thirrje për ndalimin e panikut, ndërsa Londra u mjaftua me deklarata të turbullta se po “shqyrton opsionet”.

Kjo shpërfillje kolektive tregon se aleatët evropianë nuk janë të gatshëm të paguajnë koston ushtarake të një lufte për të cilën nuk u konsultuan. Pas dy javë lufte me Iranin, presioni politik dhe ekonomik mbi administratën Trump ka arritur kulmin, duke prodhuar efekte zinxhir në të gjithë globin.

Publiku amerikan po shfaq shenja të forta shqetësimi për shkak të rritjes galopante të çmimeve të naftës dhe rënies së tregjeve financiare. Pa një plan të qartë se si do të përfundojë ky konflikt, raporton Associated Press, edhe mbështetësit më besnikë të presidentit kanë filluar të vënë në pikëpyetje strategjinë e tij, gjë që po reflektohet në rënien drastike të popullaritetit në sondazhet kombëtare.

Ndërkohë në nivel global, kjo situatë ka prodhuar një efekt paradoksal që po favorizon drejtpërdrejt Rusinë e Vladimir Putinit. Për shkak të bllokimit të Ngushticës së Hormuzit dhe mungesës së furnizimeve nga Gjiri Persik, Uashingtoni u detyrua të lehtësonte sanksionet mbi naftën ruse për të stabilizuar tregjet e brendshme.

Kjo rritje e çmimeve i ka dhënë Moskës mjetet financiare për të vazhduar luftën në Ukrainë, duke dëmtuar seriozisht përpjekjen shumëvjeçare të Perëndimit për ta gjunjëzuar ekonomikisht Kremlinin.

Brenda SHBA-së, demokratët po e shfrytëzojnë këtë kaos ekonomik si një mjet të fuqishëm elektoral për zgjedhjet e afërta të mesmandatit. Partia kundërshtare po e portretizon luftën si dëshmi të dështimit të premtimeve republikane për uljen e kostove të jetesës dhe stabilitetin.

Teksa një të pesta e naftës botërore që kalon përmes kësaj rruge, kërcënimi për infrastrukturën energjetike ka krijuar një pasiguri që po gërryen besimin e investitorëve globalë. Premtimet e Trump se çmimet do të bien “sapo kjo të përfundojë” nuk po arrijnë të qetësojnë ankthin e konsumatorëve që përballen me kosto rekord të energjisë.

Së fundmi, lufta ka shkaktuar një përçarje të thellë edhe brenda lëvizjes MAGA, ku figura konservatore kanë kritikuar ashpër nisjen e konfliktit. Ky front i ri ka vënë përballë premtimin e hershëm të Trump për t’u dhënë fund “luftërave të pafundme”, me realitetin e një lufte të përgjakshme dhe të kushtueshme. /tesheshi

Exit mobile version