Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Izraeli dhe Libani pritet të zhvillojnë bisedime direkte, mes luftës me Iranin

Izraeli dhe Libani pritet të zhvillojnë bisedime direkte, mes luftës me Iranin

Izraeli dhe Libani pritet të mbajnë bisedime direkte në ditët në vijim, për herë të parë që nga nisja e luftës në Iran, e cila ka përfshirë gjithnjë e më shumë Libanin në konflikt.

Lajmi u raportua nga gazeta izraelite Haaretz, e cila citon dy burime të njohura me zhvillimet.

Në negociata pritet të përfshihet edhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, ndërsa delegacionin izraelit do ta kryesojë Ron Dermer, një nga njerëzit më të afërt të kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Bisedimet mund të zhvillohen në Paris ose në Qipro.

Sipas Haaretz, negociatat do të fokusohen në përpjekjet për t’i dhënë fund luftimeve në Liban dhe për çarmatosjen e grupit të armatosur Hezbollah.

Ky i fundit hapi zjarr ndaj Izraelit më 2 mars, duke thënë se veprimi ishte hakmarrje për vrasjen e udhëheqësit suprem të Iranit në fillim të luftës së përbashkët SHBA–Izrael kundër Iranit.

Izraeli ka nisur një fushatë të gjerë bombardimesh kundër Hezbollahut, e cila ka shkaktuar mbi 770 viktima dhe ka detyruar qindra mijëra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre. Ndërkohë, Hezbollah ka lëshuar qindra raketa përtej kufirit.

Ministria e Shëndetësisë e Libanit njoftoi të shtunën se sulmet izraelite kanë vrarë 826 persona, mes tyre 65 gra dhe 106 fëmijë, që nga nisja e luftës me Hezbollahun. Po ashtu, 2,009 persona të tjerë janë plagosur.

Në deklaratë thuhet se 31 punonjës të emergjencës janë mes viktimave, pasi trupat e tyre u gjetën pas një sulmi gjatë natës që goditi një qendër shëndetësore në jug të vendit.

Ky bilanc e rrit më tej tragjedinë humanitare që po përjeton Libani. /tema

Exit mobile version