Sulmi ndaj Iranit, dhe një tymnajë për të larguar vëmendjen nga afera famëkeqe
Publikimi i papritur i dokumenteve tronditëse të FBI-së, ku Donald Trump akuzohet për sulm seksual ndaj një të miture në rrethin e Jeffrey Epstein, po hedh dritë mbi prapavijën e vërtetë të tensionit ushtarak në Lindjen e Mesme.
Për shumë analistë dhe kritikë në Uashington, nisja e luftës ndaj Iranit pikërisht në këtë moment nuk duket më si një nevojë strategjike, por si një manovër cinike e shpërqendrimit në masë.
Pra ky “marshim drejt luftës”, shihet si një përpjekje e dëshpëruar e presidentit për të zhvendosur vëmendjen e opinionit publik nga hallet e tij të tmerrshme me drejtësinë dhe poshtërimi që vjen nga zbardhja e detajeve të errëta të së kaluarës së tij.
Sipas dokumenteve të publikuara të premten nga Departamenti i Drejtësisë, një grua nga Karolina e Jugut ka dëshmuar se është abuzuar seksualisht nga Trump në vitet 1980, kur ajo ishte midis moshës 13-15 vjeç.
Dëshmia, e marrë nga FBI në vitin 2019 por e mbajtur e fshehur deri sot, përshkruan sesi Jeffrey Epstein e transportonte viktimën me avion privat drejt dhomave gjigante të një ndërtese të lartë në Nju Jork, ku pretendohet se ka ndodhur abuzimi.
Gruaja ka rrëfyer gjithashtu se është kërcënuar fizikisht për vite me radhë për të mbyllur gojën. Departamenti i Drejtësisë u justifikua se 15 dokumente kyçe ishin shënuar gabimisht si “dublikata”, duke shpjeguar kështu edhe vonesën e publikimit të tyre.
Ky “gabim” ka dalë në dritë në momentin më kritik për administratën, duke vënë në pikëpyetje moralitetin e figurës që sot drejton fuqinë më të madhe ushtarake në botë.
Zëdhënësja e Shtëpisë Bardhë, Karoline Leavitt, i minimizoi menjëherë akuzat, duke i quajtur ato “krejtësisht të pabaza” dhe produkt i një “gruaje të sëmure dhe me histori kriminale”. Koha e këtij publikimi përkon frikshëm me përshkallëzimin e konfliktit me Iranin.
Analistët politikë theksojnë se sa herë që Trump përballet me dëshmi që mund t’i japin goditje fatale imazhit të tij, ai zgjedh të krijojë një krizë ndërkombëtare për të dominuar titujt e gazetave. Ndaj sulmi ndaj Iranit, nuk është më thjesht çështje e sigurisë kombëtare, por një mjet për të mpakur sadopak bujën e dosjeve “Epstein”. /tesheshi
