Ballina Lajmet Rajon dhe Botë E gjithë kasta e vjetër politike e ka vendin te Lana!

E gjithë kasta e vjetër politike e ka vendin te Lana!

36 vite, të njëjtat fytyra, i njëjti spektakël

Lumi i Lanës, rrezikon të kthehet në institucionin e vetëm që arrin të bashkojë klasën politike. Jo për të pastruar Tiranën nga mbeturinat, por për të mbledhur, qoftë edhe për pak çaste, ata që prej tridhjetë vjetësh e trajtojnë politikën si pronë private.

Këtë herë radha i erdhi Klevis Balliut, deputetit të PD-së, i cili pasi u hodh apo vetëhodh në lumë, menjëherë ofroi versionin e tij për ngjarjen: një skemë e operacionales, njerëz civilë, gurë dhe, natyrisht, një komplot kundër opozitës.

Në Shqipëri, asgjë nuk është kurrë thjesht një incident. Nëse rrëzohesh, dikush të ka shtyrë. Nëse të kundërshtojnë, janë të infiltruar. Nëse protesta nuk shkon sipas skenarit, fajin e ka një strukturë sekrete, një dorë e padukshme ose ndonjë armik i shpikur enkas për rastin.

Politikanët tanë kanë një talent të rrallë, Edhe kur përfundojnë në ujë, arrijnë të dalin prej andej me një teori konspirative në xhep.

Le të jemi të qartë mbi diçka: dhuna nuk është as mjet politik dhe as shembull për t’u ndjekur. Ajo lë pasoja fizike dhe psikologjike te viktima, ndërsa për autorin sjell përgjegjësi penale.

Askush nuk duhet të sulmohet, të hidhet në lumë apo të trajtohet si objekt zbavitjeje publike. Por në kuptimin figurativ, Lana mund të shërbejë si destinacioni i merituar i një klase politike që prej vitesh e ka kthyer shtetin në pronë të vetën dhe qytetarin në spektator të detyruar.

Sepse çështja nuk është sesi Klevis Balliu u gjend mbrëmë në Lanë, kush e shtyu apo kush po përpiqet ta përdorë incidentin politikisht. Çështja është se si një brez politikanësh, si në PD, ashtu edhe në PS, vazhdon të sillet sikur Shqipëria u detyrohet atyre një karrierë të përjetshme.

Të njëjtët emra, të njëjtat akuza, të njëjtat konferenca shtypi dhe e njëjta paaftësi për të kuptuar se vendi nuk është skenë private e Sali Berishës dhe Edi Ramës.

Ndërkohë, të rinjtë protestojnë për arsim, kushte jetese, mundësi dhe të ardhme. Ata kërkojnë të dëgjohen, por kasta e vjetër është tepër e zënë me betejat e veta, me pusitë që imagjinon dhe me pushtetin që nuk dëshiron ta lëshojë.

Në vend që të përballet me arsyet e zemërimit të tyre, politika përpiqet ta zhvendosë vëmendjen te gurët, incidentet dhe protagonistët e radhës. Kështu, debati për të ardhmen e vendit përfundon sërish në një kronikë të çuditshme nga brigjet e Lanës.

Dhe pikërisht këtu, ironia merr përmasat e një skenari të shkruar nga vetë familja Balliu. Fahri Balliu, babai i Klevisit, prej vitesh një shërbëtor besnik politik i Sali Berishës dhe autor i sulmeve të ashpra kundër muslimanëve dhe Islamit, shkruante dikur në gazetën e tij, 55, se Rama duhej hedhur në Lanë.

Një formulim që sot tingëllon si një profeci e kthyer në bumerang, sepse i pari që përfundoi në lumë ishte i biri.

Sigurisht, nuk ka arsye të festohet fatkeqësia e askujt. Por ka vend për ironi kur ata që për vite kanë fantazuar për hedhjen e kundërshtarëve në lumë përfundojnë duke u bërë vetë protagonistë të një skene të tillë.

Klevisi, ashtu si i ati, ka ndërtuar profilin e vet politik në orbitën e doktorit të PD-së, si një lloj mazhordomi politik që përsërit reflekset dhe betejat e shefit të tij.

Ndoshta Lana nuk ka nevojë për më shumë “viktima” të tilla, por Shqipëria ka nevojë për një politikë që më në fund të dalë nga bataku ku është zhytur.

Dhe në kuptimin figurativ, e gjithë kasta e vjetër, nga Rama te Berisha e deri te shërbëtorët e tyre besnikë, e ka vendin atje, në Lanë, jo për t’u dhunuar, por për t’u larguar nga skena politike, bashkë me mentalitetin që e mban peng vendin. /tesheshi.com/

Exit mobile version